Tifozët e Llapit sulmuan lojtarët dhe autobusin e Drenicës, skuadra nga Podujeva përfundon në disiplinore

Komisioni i Garave i Superligës, Ligës së Parë dhe Superligës U21, në mbledhjen e mbajtur më 15.04.2026, ka diskutuar për regjistrimin e ndeshjeve të xhiros së 28-të të Albi Mall Superligës dhe të xhiros së 28-të të Raiffeisen Ligës së Parë në futboll për edicionin 2025/2026.

Pas shqyrtimit të plotë të materialeve të siguruara nga zyrtarët e ndeshjeve, Komisioni mori edhe disa vendime, atje ku kishte edhe një inicim disiplinor ndaj skuadrës së Llapit.

Tifozët e kësaj skuadre ofenduan në kor skuadrën mysafire të Drenicës, poashtu kishte një sulm ndaj lojtarëve dhe autobusit të klubit.

“Para fillimit të ndeshjes tifo grupi vendas ofendojnë në kor klubin mysafir si dhe disa herë gjatë ndeshjes në kor ofendojnë tifozët mysafirë.

Në minutën e 38-të hedhet një mjet tymues në fushë nga tifozët vendas por pa pasoja. Para fillimit të pjesës së dytë derisa lojtarët ishin duke dal në fushë nga tifozët vendas hedhet një mjet i fortë në drejtim të lojtarëve mysafirë, fatmirësisht nuk goditet askush.

Pas përfundimit të ndeshjes gjatë shkuarjes në zhveshtore lojtarët e skuadrës mysafire sulmohen nga tribuna nga tifozët vendas me mjete të ndryshme; shkopinjë, shishe plastike. Gjatë largimit nga Podujeva edhe pse të përcjellë nga Policia, autobusi i skuadrës mysafire është sulmuar dhe dëmtuar me gur, duke iu thyer xhami”, shkruhet në raportin e delegatit të ndeshjes Llapi-Drenica.

Për sjelljet dhe veprimet e tifozëve, do të ketë një vendim nga Komisioni Disiplinor i FFK-së.