Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar përmbylljen e sezonit të ngrohjes 2025/2026, pas 191 ditësh të pandërprera të furnizimit me energji termike për më shumë se 25 mijë konsumatorë.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë në përputhje me rregulloren e ZRrE-së për furnizimin me energji, si dhe duke u mbështetur në parashikimet e motit për ditët e ardhshme.
“Termokos” e ka cilësuar këtë periudhë si një nga sezonet më të gjata dhe më të suksesshme . Ndërmarrja ka theksuar se, për herë të parë, furnizimi me ngrohje nisi tetë ditë më herët se zakonisht dhe vazhdoi pa asnjë ndërprerje deri në mbyllje të sezonit.
Gjatë kësaj periudhe janë prodhuar 338.902 MWh energji termike, çka, sipas ndërmarrjes, ka mundësuar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor për të gjithë konsumatorët.
