LAJMI I FUNDIT: Arrestohet Gani Geci

Gani Geci është arrestuar sonte në mbrëmje nga Policia e Kosovës.

Arrestimi vjen pas përplasjes së Gecit me gazetarin Lirim Mehmetaj, i cili ka deklaruar se është kërcënuar nga familja Geci lidhur me një postim kritik ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Fatos Geci.

Mehmetaj ka treguar sonte në emisionin “Debat Plus” se anëtarë të familjes Geci i kishin kërkuar ta largonte ose ta ndryshonte postimin e tij, por ai kishte refuzuar.

Sipas gazetarit, pas refuzimit, ndaj tij ishin bërë kërcënime, për çka kishte vendosur ta denonconte rastin në Policinë e Kosovës.

“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar Mehmetaj.

Themeluesi i “Vox Kosova” bëri të qartë se nuk e pranonte largimin ose ndryshimin e postimit. Ai tha se do të vazhdonte të shkruante për deputetin Fatos Geci sa herë ta konsideronte të nevojshme.

“Unë mangup s’jam, po me ma diktu mu çka shkruaj s’ka shans, me u rrotullu tokë e qiell”, u shpreh Mehmetaj.