Gjykata Speciale: Më 17 nëntor shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për rastin e dytë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar 17 nëntorin 2026 për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë në rastin kundër Hashim Thaçit dhe katër të tjerëve, për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, aktgjykimi do të shpallet të martën, më 17 nëntor, në orën 10:00.

Vendimin për caktimin e datës e ka marrë më 12 tetor gjykatësi i vetëm i çështjes, Kristofer Gosnell.

Në këtë rast, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Deklaratat përmbyllëse në këtë proces përfunduan më 14 shtator, ndërsa gjykatësi Gosnell e shpalli të mbyllur gjykimin dhe bëri të ditur se data e shpalljes së aktgjykimit do të njoftohej më vonë.

Aktakuza përfshin akuza për vepra penale që lidhen me pengimin e personave zyrtarë dhe administrimin e drejtësisë. Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet sipas ligjit.