Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, u është kundërpërgjigjur reagimeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me “Rrugën e Re” të LDK’së, që do të jetë plani programi qeverisës i kësaj partie.
Rukiqi ka thënë se moblizimi i pushtetit dhe eksponentëve të tij për të sulmuar këtë platformë, është tregues i rëndësishëm “i panikut të krijuar nga humbja që i pret.
“Mobilizimi i pushtetit dhe eksponenteve te tij, per te sulmuar ”Rrugen e Re”, me cinizem bajat dhe aspak kreativ, eshte tregues i rendesishem, i panikut te krijuar, nga humbja qe i pret”, ka shkruar Rukiqi në rrjetin social Facebook.
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, është munduar që të godasë edhe LDK’në edhe PDK’në në postimin e saj.
Mihali ka pyetur nëse “Kjo rruga a shpie te qeveria në hije e PDK?”
“Se ka humbur prej vjet në pranverë kur u formula”, ka shkruar Mihali.
Për “Rrugën e Re” të LDK’së ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Ai me ironi ka uruar LDK’në, duke shtuar “Uroj që ka ndonjë kontroll rrugës para se me marrë n’qaf naj njeri n’udhë të drejtë 🙂”.
Reagim për këtë ka bërë edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajçinovci.
Ai ka thënë se “Rruga e Re” pa Kurtin, është veç ajo për Prapashticë, duke aluduar për vendlindjen e ish-kryetarit të LDK’së dhe ish-kryeministrit, Isa Mustafa.
“Rruga e Re” e pa Kurtin, është veç rruga për Prapashticë”, ka shkruar Bajçinovci.