Kukësi ka ndryshuar shumë nga sezoni i kaluar. Shtatë lojtarë janë larguar deri tani, dy të tjerë janë huazuar (Victor Feijao dhe Edison Ndreca), ndërkohë që sot ka ardhur edhe largimi i dhjetë.
Klubi verilindor ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me Kreshnik Bahtirin, 29-vjeçarin nga Lipjani. Mesfushori zhvilloi 18 ndeshje me Kukësin, teksa ia doli të shënonte një gol në Superiore.
Njoftimi i klubit
“FK Kukësi njofton mbylljen e bashkëpunimit me mesfushorin Kreshnik Bahtiri. Pas diskutimeve mes klubit dhe mesfushorit Bahtiri, u vendos ndërprerja e bashkëpunimit mes palëve.
Bahtiri u transferua te Kukësi sezonin e shkuar ku u aktivizua në 14 ndeshje duke shënuar edhe një gol. Klubi i Kukësit e falënderon Bahtirin për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në karrierën e tij”.
Ndërkohë, Bahtiri komentoi shkurt: “Falënderoj klubin për mundësinë e dhënë dhe tifozët për mbështetjen. Kukësin do e kem gjithmonë në mendje e zemër“.