I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të mbërrijë në Prishtinë sot për një vizitë dyditore për t’u takuar me liderët kosovarë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.
Lajmi u konfirmua nga Ioanna Lachana, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Lajçaku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.
Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.
Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.
Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.