Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka folur për polemikën e fundit në mes të kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, sa i përket ftesës së bërë nga Lajcak për një takim në Bruksel më 27 shkurt.
Zulfaj ka thënë se duhet treguar përmbajtje në gjuhë, duke përfshirë këtu edhe zëdhënësin e BE-së, Peter Stanon, pasi siç thotë këshilltari i Kurtit, Kosova s’është palë bllokuese në dialog.
“Tani deklaratat duhet të jenë të përmbajtura në këtë drejtim, edhe nga z. Stano. Kosova nuk është palë bllokuese dhe as palë jo konstruktive. Ne e kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar zbatim. Është Serbia që s’po e pranon. Ai duhet të merret me Serbinë dhe s’duhet të lëshojë akuza e qortime në drejtim të Kosovës”, ka deklaruar Zulfaj, raporton Gazeta Express.
Tutje Zulfaj ka thënë se vendimi i BQK-së s’mund të jetë subjekt i diskutimit në Bruksel me një shtet tjetër, duke qenë se BQK është institucion i pavarur që vepron bazuar në Kushtetutë të vendit, shkruan Gazeta Express.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se zv.kryeministri Bislimi do ta trajtojë ftesën e bërë nga Lajcak dhe do t’ia japë një përgjigje.
“Lajcak është përfaqësues për dialogun. Puna primare është zbatimi i marrëveshjeve që kemi arritur. Vendimi i BQK-së s’mund të jetë subjekt i diskutimit në dialog me një shtet tjetër. Sepse është institucion i pavarur i Republikës që vendimet i merr në bazë të Kushtetutës. Kjo çështje s’ka çka kërkon në tavolinë.