Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në seancën e së martës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka prezantuar dokumente që sipas tyre, Gjergj Dedaj ia ka dhënë UNMIK-ut në vitin 2001, e që lidhen me incidentin në Qirez-Baicë.
Fillimisht, ZPS ia prezantoi Dedajt një dokument, i cili mbante datën 4 shtator 2001, e që ai tha se nuk ka kurrfarë rëndësie, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Për menimin tim nuk kanë kurrfarë relevance. Domethënë këto kanë qenë një fletushkë partiake që është botu, ka mujtë secili me e pas në dorë. Nuk është kurrgjë sekret, s’është kurrgjë ngarkuese, s’është asgjë e rëndësishme, për menimin tim. Është njëfarë informatori që është botu në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe unë s’e kam botu, as s’e kam shkru dhe unë mendova se çfarë dokumenti doni me qit, por e di se nuk ka kurrfarë dokumenti lidhur me këtë. Copat e gazetave janë si gazetat e Ballkanit ma. Ky nuk është kurrfarë dokumenti. Copat e gazetave nuk munden me qenë dokumente, aty mundet me shkru çdokush çka don sipas dëshirës”, tha Dedaj.
Dokumentin e dytë që sipas ZPS-së, Dedaj ia kishte dhënë UNMIK-ut, ishte një artikull i gazetës “Koha Ditore”, i datës 27 shtator 1998.
“Ky është një artikull gazete i ‘Koha Ditore’ me datë 27 shtator 1998 që ju ia keni dhënë UNMIK-ut më 4 shtator 2001, ky është nënshkrimi juaj në fund të faqes. Ju ia keni dhënë këtë informacion UNMIK-ut sepse mendonit që aty përmbahej apo kishte informacion lidhur me atë se çfarë iu kishte ndodhur ju. A është e vërtetë kjo?”, tha prokurorja.
Dedaj tha se ky artikull i “Kohës Ditore” është një ‘copë letre publike’, të cilën ka mundur ta ketë UNMIK-u edhe më herët.
“Kjo është një gazetë publike që ka dalë çdo ditë dhe ka mujtë me e pas UNMIK-u para meje, mas meje dhe ka mujtë me e pas secili qytetar i Kosovës dhe jashtë saj. Ky nuk është kurrfarë dokument as sekret as asgjë, është një copë letre publike”, tha Dedaj.
Ndërsa, prokurorja i tha Dedajt se ky dokument nuk i shkoi nga dikush tjetër por nga ai.
Dokumenti tjetër që iu prezantua ishte një tjetër artikull gazete i datës 2 shtator 1998, për të cilin Dedaj tha se në të flitej për shqiptarët të cilët ndodheshin para një katastrofe të vërtetë humanitare.
“Këtu flitet për të zhvendosurit, shqiptarët që janë ndodhë para një katastrofe të vërtetë humanitare për të cilën katastrofë shumë pak janë interesu”, tha Dedaj.
Lidhur me atë nëse arsyeja e dhëniës së këtij artikull UNMIK-ut bazohej në atë se ai besonte se kishte lidhje me incidentin, Dedaj tha se mund të ketë lidhje dhe se kjo gazetë është publike e mund ta kishte edhe UNMIKU.
“Edhe mund të ketë lidhje. Lufta ime 25-vjeçare, përveç që kam bërë luftën ballë për ballë me regjimin e Millosheviqit çdo ditë dhe çdo natë dhe kam pagu mas shtrenjti në Kosovë, lufta ime këto 25 vjet ka qenë edhe zbardhja e të vërtetës të asaj që kemi pas në Qirez dhe Baicë. Kjo ka qenë një luftë që me mundon edhe sot e kësaj dite dhe që familja jem po e pagun mas shtrenjti këtë. Bile e kemi pagu edhe me shkarkim nga pozita e ambasadorit”, tha Dedaj.
Dokumenti i radhës që sipas ZPS-së, Dedaj ia kishte dhënë UNMIK-ut ishte një artikull i gazetës ‘Bota Sot’ i datës 9 korrik 2000. Por, Dedaj tha se dëshiron që të kalojë në seancë private.
“Dëshiroj të kaloj në seancë private, nëse është e mundur sepse unë kam fëmijë në Prishtinë, kam nipa e mbesa në Prishtinë dhe unë jam shumë i shqetësum edhe një herë po e them për fatin e tyre, jo për fatin tim, fati im nuk është i rëndësishëm”, tha Dedaj, por kërkesa u kundërshtua nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Tutje, Dedaj tha se refuzimi që po i bëhet që të dëshmojë në seancë private është rrezikim i drejtpërdrejtë i jetës dhe familjes së tij.
“Kur këto janë shkrime të gazetave edhe UNMIK-u edhe secili në botë ka pas mundësi me i pas. Shkrimet e gazetave normal që ia kam dhënë unë, kur është nënshkrimi im unë nuk muj me… Por, kjo çka po me pyetet dhe kjo që po me refuzohet për me pas seanca private, kjo është rrezikim i drejtpërdrejtë i jetës, familjes sime. Këtë besoj që nuk keni të drejtë me e bë, po keni mundësi dhe bëjeni”, tha Dedaj.
Pas kësaj, me kërkesë të prokurores, seanca kaloi e mbyllur për pak minuta për t’u hapur sërish me prezantimin e dokumenteve të tjera.
Para prezantimit të këtyre dokumenteve, ZPS prezantoi një letër, të cilën sipas tyre Dedaj ia kishte dhënë UNMIK-ut në shtator të vitit 2001, ku kishte përshkruar trajtimin që kanë pasur anëtarët e delegacionit të partive politike nga Prishtina në shkollën e Baicës si dhe konferencën për shtyp pas kësaj ngjarje.
ZPS thotë se në këtë letër, Dedaj kishte thënë se në konferencën për shtyp në Prishtinë nuk kishte folur për dhunën që u ushtrua ndaj tyre për arsye sigurie.
Dedaj tha se ajo konferencë ka qenë historike dhe se ka dëshirë edhe tash pas 25 viteve që ta dëgjojë. Tha se nuk ka qenë asnjëherë i rrezikuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Domethënë edhe në luftë secili o i rrezikum. Sa i përket UÇK-së unë personalisht asnjëherë nuk kam qenë i rrezikum, përkundrazi kam qenë i mbrojtur kur kam pasur nevojë”, tha Dedaj.