Zotimi në Bundestag, detyra e vështirë e Kurtit për t’i bindur konservatorët e partisë për Kodin Civil

“Personalisht do ta ndërtoj një shumicë parlamentare”. Kryeministri i Kosovës u zotua në Bundestag se do ta bëjë të mundur miratimin e Kodit Civil, që përmban një nen për regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks. Një detyrë padyshim e vështirë edhe dy vjet prej kur ky kod pati dështuar të miratohej në Kuvend. Kërkesën e Albin Kurtit e patën injoruar edhe me fjalime plot fyerje e homofobi deputetët konservatorë nga partia e tij e majtë.

Kryeministri i Kosovës do të angazhohet personalisht për ndërtimin e një shumice parlamentare për miratimin e Kodit Civil, i cili për shkak se përmban një nen për të drejtën e regjistrimit të bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks, ka mbetur pa kaluar në Kuvend tash e dy vjet.

Albin Kurti u zotua të premten në Bundestag në Berlin se Kosova do të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor që do t’ua ofrojë qytetarëve të saj këtë të drejtë.

Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjve tanë, Malit të Zi, duke ua ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt”, tha Kurti gjatë një fjalimi në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës, të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) e kancelarit Olaf Scholz.

“Për këtë unë personalisht do ta ndërtoj një shumicë parlamentare dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, tha Kurti, në një përpjekje për t’i bindur përfaqësuesit gjermanë se Kosova e meriton të jetë pjesë e Këshillit të Europës.

Kurti theksoi se regjistrimi i bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks “është një e drejtë” dhe se “Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet”. Ndonëse kujtoi se ka vende anëtare të KiE që e kanë injoruar gjykatën për këtë çështje, ai tha se “Kosova do të jetë ndryshe”, dhe se “në këtë mënyrë duam t’i frymëzojmë të tjerët”.