Sot në mëngjes, ndërtesa e Institutit të Mjekësisë Ligjore është kapluar nga zjarri.
Ndërsa Policia e Kosovës dhe Prokuroria ka nisur hetimet e rrethanave që kanë shkaktuar zjarrin në këtë objekt.
Për rastin ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave”, ka shkruar ajo në Facebook.
Postimi i plotë:
Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri.
Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave.
Ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit. Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre.
Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndërvite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë.
Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë.