Albin Kurti pritet të takohet të martën me tre kundërshtarë politikë të tij.
Memli Krasniqi i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së raportohet të jenë ftuar për takim nga ai për muhabet rreth zhvillimeve në veri të vendit.
Mbetet i paqartë lokacioni i mbledhisë.
Megjithatë siç raporton Express burime brenda PDK-së kanë konfirmuar se kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka konfirmuar takimin me kryeministrin Kurti.
Front Online ka kontaktuar me Qeverinë dhe është në pritje të konfirmimit zyrtar të këtij informacioni.
Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka dërguar sot letër Kryeministrit Albin Kurti për situatën në pjesën veriore të Kosovës, duke i shprehur gatishmërinë e PDK-së për të komunikuar dhe harmonizuar veprimet e institucioneve në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit të vendit.
Në letrën e tij, lideri i Opozitës, Memli Krasniqi, ka thënë se situata në pjesën veriore është shqetësuese, me rrezik të përshkallëzimit, ndërsa epilogu nuk është i qartë. Andaj, sipas tij, një koordinim i Qeverisë me Opozitën dhe harmonizimi i veprimeve institucionale me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm.
“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, ju shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, ka thënë Krasniqi.