Zhbllokohet llogaria e komunës së Suharekës, Muharremaj: Presioni publik dha rezultat

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se xhirollogaria e Komunës së Suharekës është aktive tashmë.

Të hënën, Komuna e Suharekës ishte njoftuar për bllokimin e xhirollogarisë bankare, gjë për të cilën kishte reaguar edhe Asociacioni i komunave të Kosovës (AKK).

Muharremaj në një përgjigje për Gazetën Express, të hënën kishte thënë se Qeveria po e bën qëllimshëm këtë, duke shtuar se projektet do të ngecin.

Por, sot llogaria komunale është aktivizuar. Për këtë njoftoi Muharremaj pas intervistës në T7 me Arsim Lanin.

“Presioni publik dha rezultat.  Pas emisionit tek  gazetari Arsim Lani nga T7, u njoftova  se xhirollogaria e Komunës së Suharekës është tashmë aktive.  Faleminderit mediave kudo për angazhimin e sotëm. Sigurisht do të njoftohemi se sa është shpenzimi financiar.  Puna do të vazhdoj e nuk do të ndalemi asnjëherë, për shërbim ndaj qytetarëve”, ka thënë Muharremaj.