Zgjedhjet po trokasin në derë: Elshani i PDK-së tregon se a është e gatshme KQZ për këtë proces

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, janë një ndër temat që po diskutohet më së shumti dy ditët e fundit.
Krejt kjo ka ardhur pas takimit që u realizua mbrëmë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së Memli Krasniqit.

Pas këtij takimi, edhe Krasniqi e Kurti u panë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, e sipas tyre duhet vetëm të caktohet pranvera apo vjeshta si stina më e përshtatshme.

Meqë zgjedhjet duket se po trokasin në derë, Arianit Elshani anëtar i PDK-së në KQZ ka pohuar se janë gati për të organizuar zgjedhjet parlamentare.

“Po, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është gati, ky është edhe mandati ynë Kushtetues. Ne kemi bërë shumicën e përgatitjeve të brendshme për organizim të zgjedhjeve. Gjatë tërë vitit të kaluar por edhe gjatë këtij viti kemi punuar në rregullore, software dhe procedura të tjera që rregullojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë Elshani për lajmi.net.

Nëse KQZ është e gatshme për realizimin e zgjedhjeve edhe në ambasada e konsulata, Elshani ka thënë se kjo procedurë është rregulluar por kanë mbetur disa çështje të cilat varen nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Procedura e votimit jashtë vendit pjesërisht është rregulluar tashmë dhe kanë mbetur disa çështje të cilat varren nga Ministria e Punëve të Jashtme. Sa i përket KQZ ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet që ky proces të zhvillohet konform Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka shtuar Elshani.

Kryeministri Kurti ka ftuar në takim edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj të cilët kanë zgjedhur t’i përgjigjen negativisht ftesës duke mos pranuar të marrin pjesë.

Qeveria Kurti tashmë ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të tyre 4 vjeçar.