Nëse sondazhet dalin të sakta, zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian do të tregojnë rritje të mbështetjes për partitë populiste të krahut të djathtë dhe për ato të ekstremit të djathtë – tashmë pjesë e disa parlamenteve kombëtare.
Këto forca mbështesin një mendim politik që ka tendenca të jetë më konservator dhe më nacionalist. Janë kundër imigrimit, kundër multikulturalizmit e disa edhe kundër zgjerimit të BE-së.
Me fjalët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, “populistët e krahut të djathtë janë gati të shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar për fëmijët tanë; ata ngjallin ndjenja kundër refugjatëve dhe pakicave”.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen nga data 6 deri më 9 qershor. Deputetët e këtij institucioni zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët – mbi 400 milionë syresh në të 27 vendet anëtare.
Një sondazh i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ka gjetur se ky proces do të sjellë forcim të ndjeshëm të së djathtës radikale.
Arsyet variojnë – nga rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës deri te frika se kufijtë e hapur rrezikojnë identitetin kombëtar dhe vlerat tradicionale.
Për pasojë, dy grupet kryesore politike – Partia Popullore Evropiane dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve – do ta ruajnë shumicën, por me rezultate më të dobëta, sipas sondazhit. Ato kanë përjetuar rënie edhe në zgjedhjet e vitit 2019 tashmë – grupi i parë për 2.8 për qind, ndërsa i dyti për 5.9 për qind.
Në përbërjen në largim të Parlamentit Evropian, e djathta ka 128 vende nga 705 gjithsej. Në përbërjen e ardhshme, sipas sondazheve, ajo mund të fitojë pothuajse një të katërtën e tyre.
Vesko Garçeviq, i cili ka shërbyer si ambasador i Malit të Zi në Bruksel, shpjegon se Parlamenti Evropian ka më pak ndikim se dy institucionet e tjera të BE-së – Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian – por shton se ai nuk mund të anashkalohet për disa çështje të rëndësishme. Për shembull, Komisioni Evropian nuk mund ta marrë detyrën pa u konfirmuar me shumicë votash në Parlamentin Evropian.
“Trendi i rritjes së partive të djathta do të reflektohet në përbërjen e Parlamentit të ri Evropian. Por, çështja është nëse ato parti do të jenë vendimmarrëse, kur të bëhet fjalë për Komisionin e ri, apo do të jenë pakicë e konsiderueshme brenda Parlamentit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe jam i sigurt se do ta përcaktojë mënyrën se si Parlamenti dhe institucionet tjera evropiane do të punojnë në vitet në vazhdim”, thotë Garçeviq.
Sondazhi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ka gjetur se partitë e së djathtës radikale kanë tendencë të dalin të parat në nëntë vende të Evropës, përfshirë: Francën, Austrinë dhe Italinë, ndërsa të dytat ose të tretat në nëntë vende të tjera, përfshirë: Gjermaninë dhe Spanjën.
Garçeviq thotë se kjo është problematike, sepse ndikimi që kanë këto zgjedhje në debatet kombëtare, implikon edhe vendimet e Komisionit dhe të Këshillit Evropian. Garçeviq përmend në mënyrë të veçantë Ballkanin Perëndimor.
“Këtu jam i shqetësuar sidomos për zgjedhjet në Francë. Ato mund ta ndryshojnë lojën, sepse janë shtetet individuale ato që e formësojnë qasjen e Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për Ballkanin”, thotë ai.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë vit do të kandidojë për rizgjedhje, ka thënë në fjalimin për gjendjen e BE-së shtatorin e kaluar, se blloku duhet t’i përgjigjet “thirrjes së historisë” dhe të pranojë një numër të madh vendesh, përfshirë nga Ballkani Perëndimor.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë”, ka thënë ajo.