Zgjedhjet lokale: Votuesit jashtë vendit mund të regjistrohen deri më 29 gusht

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të mund të votojnë përmes postës në zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale. Të interesuarit mund të regjistrohen deri më 29 gusht.

Për gati një muaj po vazhdon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga data 23 korrik deri më 19 gusht, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar gjithsej 9,961 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 7,681, ndërsa 2,280 janë refuzuar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për media se shumica e aplikimeve të refuzuara kanë qenë për shkak se aplikuesit nuk kanë paraqitur dëshmi për adresën e tyre jashtë Kosovës.

“KQZ po i informon individualisht të gjithë aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit dhe u ofron mundësinë për riaplikim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme, në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, ka thënë Elezi.

Sipas KQZ-së, votimi përmes postës do të nisë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025. Ky proces do të jetë i vlefshëm për votuesit që arrijnë të regjistrohen deri më 29 gusht.