Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti duket se janë pajtuar me kërkesën e Gjermanisë dhe Francës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore. Me këtë kërkesë, si rrugë për shtensionimin e situatës në veri, nuk është pajtuar edhe PDK-ja, zyrtarët e së cilës udhëheqin Zveçanin dhe Zubin Potokun.
Zyrtarët e kësaj parti kanë lënë të kuptohet se kryetarët e saj nuk do të tërhiqen.
Këtë ia ka bërë të qartë kryeministrit Albin Kurti, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Ky i fundit në seancën e djeshme të Kuvendit, i ka thënë kryeministri se më askush nuk pyet për dy komunat.
“Pse nuk po kallëzon a ke me u terhjekë a nuk ke me u terhjekë? A ki me u terhjekë se dole prej takimit me Borrllin dhe paralajmërove zgjedhje të jashtëzakonshme. Po të kallxojë diçka, t`i zgjedhje të jashtëzakonshme mundesh me shpresu me mbajt, por për dy komuna as nuk guxon, as nuk ke të drejtë e as nuk mundesh me folë, qeto dije. Për Zveçan e Zubin Potok ty nuk t`i vet letrat më njeri i lemë, këtë dije”, ka thënë Krasniqi.
Duket se për këtë qëllim Krasniqi është takuar të premten me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Kurse, sekretari i PDK-së, Betimi Gjoshi, ka thënë se synimi i Osmanit dhe Kurtit është që të mundësohet shpalljen e zgjedhjeve të reja të kërkojnë dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore.
“Pas një jave, për çështje të brendshme të shtetit të Kosovës, siç janë zgjedhjet, presidentja Osmani negocion me Aleksandër Vuçiqin dhe pranon që të shkelën ligjet e Kosovës duke detyruar kryetarët që të dorëhiqen pas një muaji a dy. Pas një jave, duke rrezikuar jetën e policëve të Kosovës, ushtarëve, gazetarëve e të qytetarëve, Albin Kurti nuk ka asnjë sukses. Përkundrazi, bashkë me Vjosa Osmanin duhet t’i thërrasin katër kryetarët dhe t’ia kërkojnë poshtërimin e radhës: Jepni dorëheqje!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
As vet kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili vije nga PDK-ja, nuk i ka pëlqyer ideja e zgjedhjeve të reja.
Ai ka thënë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhja e duhur.
“Do një analizë pse duhet të hyhet ne zgjedhje, a ka ndonjë element të tërheqjes dhe çka mund të prodhojë më pas kjo”, shprehet ai për Klan Kosova.
Alternativa e dytë për zgjedhje
Në rast se ndonjëri nga kryetarët aktual refuzon dorëheqjen, Ligji për Vetëqeverisje Lokale parasheh edhe mundësinë e shkarkimit të tyre përmes një “referendumi”.
Këtë mundësi e ka përmendur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmai. Në një konferencë me gazetarët e huaj, ajo ka thënë se duhet të shfrytëzohet të gjitha mundësit ligjore.
“Unë i informova (Macronin e Scholzin), se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë. Vuçiqit iu kërkua që të mos ndërhyjë, të mos u bëjë presion qytetarëve që të mos marrin pjesë. Nga ana e tij nuk ka pasur përgjigje”, ka thënë Osmani.
Mundësinë e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve nuk e ka përjashtuar as kryeministrit Albin Kurti.
Në një intervistë me gazetarin amerikan Chuck Todd në kuadër të emisionit “Meet the Press Now” në NBC, ai ka thënë se nëse mbahen këto zgjedhje ato duhet të jenë fer dhe demokratike.
“Nuk e përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme, por ato duhet të jenë fer, demokratike dhe të lira”, është shprehur ai.
Kurti ka thënë se nëse këto zgjedhje mbahen duhet të ketë fushatë të hapur.
“Beogradi do që Lista Serbe ta prezantojë komunitetin serb. Prandaj ne insistojmë që të ketë fushatë të hapur dhe ne shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar do të na ndihmojë në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Mundësia e zgjedhjeve të reja është hapur pasi Franca dhe Gjermania kanë kërkuar një gjë të tillë si alternativë për shtensionimin e situatës në veri. Kësaj kërkese ia ka bashkuar edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me presidentin Aleksander Vuçiq në Moldavi, Borrell ka kërkuar që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në procesin zgjedhor dhe të fillohet puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai ka bërë me dije se nëse palët dështojnë ta bëjnë një gjë të tillë, ato do të përballet me pasoja të renda.
Organizimi i këtyre zgjedhje pritet të marrë formë në fillim të javës së ardhshme, kur Kosovën dhe Serbinë do ta vizitojnë emisarët e posaçëm për dialog, Gabriel Escobar dhe Mirosav Lajçak.