Në një postim të fundit në Facebook, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka bërë një thirrje për respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke shprehur shqetësimin e tij për sulmet e vazhdueshme ndaj këtij institucioni nga ana e pushtetit.
Ai theksoi se Kosova “nuk është një xhungël” por ka “ligje e kushtetutë, ka institucione dhe pushtete të ndara, të cilat e bëjnë Republikën tonë të suksesshme për qytetarët e saj dhe vendet mike.”
Postimi i tij i plotë:
Mëshoni sa të mundeni Gjykatës Kushtetuese, mëshoni!
Veç në xhungël i pushtetshmi ka të drejtë gjithmonë. Por Kosova nuk është xhungël. Si nuk e keni kuptuar ende një gjë të tillë? Kosova është shtet; ka ligje e kushtetutë, ka institucione dhe pushtete të ndara, të cilat e bëjnë Republikën tonë të suksesshme për qytetarët e saj dhe vendet mike.
Dikur, opinionet, vendimet dhe interpretimet e kësaj gjykate iu pëlqenin, e besa edhe i kremtonit. E sot po i luftoni për të vetmin motiv: t’i kapni krejt e me ka krejt dhe t’i mbuloni dështimet tuaja qeverisëse. Çfarë faji ka Gjykata Kushtetuese për dështimin tuaj të plotë në qeverisje?
Askush nuk ka faj për paaftësinë tuaj të thellë!