Kosova ka shënuar rënie të madhe sa i përket lirisë së mediave. Raporti i fundit i “Reporterëve pa Kufij”, jep një goditje për demokracinë e vendit tonë, duke parë regresin prej 19 vendeve në pozitë. Më poshtë, iu risjellim në vëmendje dy perla të thëna nga dy zëvendës të Albin Kurtit.
‘Demokracia e vetme’
I njohur edhe për sulme ndaj mediave, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ende s’e ka thënë asnjë fjalë për radhitjen e Kosovës në këtë raport.
Muaj më parë, mes tjerash, Bislimi deklaronte se Kosova është “demokracia e vetme në Ballkanin Perëndimor”.
Nacionale atë kohë raportonte se Kosova ka qenë demokracia më e fortë në rajon, por megjithatë, përmes kësaj, Bislimi po linte të nënkuptonte se Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja nuk ishin demokraci.
“…rrezikimin e demokracisë së vetme në Ballkanin Perëndimor duke e portretizuar Kurtin si palë jobashkëpunuese dhe të painteresuar për normalizim.” – ishin fjalët e shkruara nga ai.
‘Shining star’
Dikush, dikur, i kishte thënë kryediplomates e zëvendëskryeministres Donika Gërvalla se Kosova është “yll shndërritës i demokracisë në rajon”.
Këtë, ministrja e Punëve të Jashtme e kishte thënë me krenari në Kuvend. Njëjtë si kolegu i saj, as ajo s’ka shkruar ndonjë fjalë për raportin që na rendit këtë vit në vendin e 75 sa i përket lirisë së mediave.
“Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të politikës evropianë na thotë: Rrallë me ndodhë që gjatë takimit të flas vetëm për zhvillim pozitiv të një vendi.” – kishte thënë fillimisht Gërvalla.
“Një homolog i imi nordik në një prej takimeve në thotë “you are the shining star of the democracy in the region”, që do të thotë “jeni yll i ndritshëm i demokracisë në rajon.” – kishte shtuar ajo.
Sipas raportit që u publikua sot, Kosova ka shënuar rënie për 19 vende sa i përket lirisë së mediave, duke u renditur në vendin e 75. Gjatë vitit që lamë pas, vendi renditej i 56-i.
Juristja e medias, Flutura Kusari, sot njoftoi se ky është vlerësimi më negative sa i përket lirisë së mediave në Kosovë për dekadën e fundit.
Ndërkohë, ende pa u bërë 24 orë nga publikimi i raportit, është shënuar një intimidim i pushtetit ndaj gazetarëve.
Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, derisa po intervistohej nga gazetarja e RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi, i është drejtuar asaj me fjalët:
“Për besë unë e shoh qysh e shoh secili shqiptar. Në RTS-in e Serbisë ata mujnë me pas shqetësim kryesor Asociacionin . Në RTK-në e Kosovës nuk duhet me kane veç Asociacioni…A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova? Pse po e bën temë a duhet me ba Asociacionin a jo? Na e dimë çka është tema kryesore”.