Dyshimet për tradhti dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familje. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në Rahovec, ku viktimë është një 38-vjeçare.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën fizike të ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, ashtu që i dyshuari pas një zënke momentale, e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore, por edhe shqetësim e frikë.
Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të raportojë rastin në Polici dhe si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë intervenuar në shtëpinë e tyre.
Burri i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.