Rrafshi i Dukagjinit njihet për bukuritë natyrore, për objektet e shumta ku secila nga to ruan nga një histori të dhimbshme, por edhe për arkitekturë të bukur, që ka bërë të njihen edhe përtej Kosovës.
E rrethuar nga bjeshkët e Istogut në njërën anë dhe të Rugovës në anën tjetër, e gjendur në qendër të Jabllanicës së Madhe të Pejës, e ndërtuar me gurë që janë të vjetër 5 shekuj dhe me drunj, të cilat ruajnë më së miri historinë… Këto janë karakteristikat e objektit të xhamisë kullë, që e bëjnë të jetë një ndër pasuritë dhe trashëgimitë më të vlefshme jo vetëm të këtij qyteti, por edhe të Kosovës.
Për karakteristikat e xhamisë kullë të Jabllanicës se Madhe, ka folur për Telegrafin hoxhë Sadri Zekaj, i cili tregon dimensione të tjera të objektit ndër vite.
E vënë shpesh herë në qendër të sulmeve kjo xhami që deri vonë ishte pa minare. Siç thotë Zekaj, ka qenë cak përgjatë luftërave nga armiqtë e Kosovës dhe është tentuar disa herë shkatërrimi i saj.
Zekaj kujton historinë e djegies së dy personave në këtë xhami, të cilët janë munduar ta mbrojnë këtë objekt nga serbët në vitin 1915.
“Rasti që vlen të përmendet për këtë xhami, historike për nga vjetërsia dhe stili turk, është edhe djegia e dy vetave, hoxhës Ahmet Zhara i Pejës dhe Lul Ramës, që ka qenë i këtij fshati. Kur kanë ardh në vitin 1915 me kallë xhaminë, si me ndez zjarrin sa më shumë dhe për ta shkatërruar krejtësisht, kanë organizuar me bartë kashtë edhe tallë, në mënyrë qe ky objekt të shkatërrohet totalisht, Vendasi Lul Rama dhe Hoxha Zhara, duke u munduar ti largojnë serbët nga këtu, serbët nga mllefi dhe inati i mbyllin të dy në këtë xhami dhe digjen bashkë me tallën dhe kashtën. Pra nga gjenocidi serb kanë vdekur të dy”, është shprehur Imami Zekaj.
Rol të rëndësishëm kjo xhami ka luajtur edhe në luftën e fundit të Kosovës. Hoxha Zekaj tregon se ky objekt është shfrytëzuar si vatër për refugjatët, të cilët pastaj kanë marrë rrugën drejt Malit të Zi dhe Shqipërisë.
“Kjo xhami edhe gjatë luftës së fundit e ka pasur funksionin e vet. Jabllanica e Madhe dhe ajo e vogla si dhe Radaci kanë qenë të mbushur me mysafirë, për të kaluar pastaj kufijtë për të shkuar në Malin e Zi dhe Shqipëri. Përpos shtëpive që kanë qenë të mbushura edhe kjo xhami ka pranuar njerëz. Këtu kanë fjetur njerëzit, kanë sjellë edhe ushqime… pastaj i kemi dërguar në mënyrat tona si kemi mundur”, ka thënë Zekaj, për Telegrafin.
Gjithashtu Zekaj ka rikujtuar momentet kur pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur mbledhjet fshehurazi në kullën xhami, për vazhdimin e aktiviteteve të tyre.
Ai ka theksuar se ndihet krenar që shërben ende në këtë objekt që është edhe historik, por edhe me rol kombëtar.
“UÇK-ja ka mbajtur mbledhje duke u bërë kinse ka mysafirë. Ata mblidheshin dhe bisedonin për vazhdimin e aktiviteteve të tyre. Unë jam i lumtur që kam shërbyer në këtë xhami si imam, sepse kjo nuk është një xhami vetëm historike, por edhe kombëtare”, ka përfunduar hoxhë Sadri Zekaj.
Xhamia e Jabllanicës së Pejës është i dyti objekt më i vjetër i trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike në komunën e Pejës.