Woelk: Jam shumë e mërzitur, çdo ditë i bëj thirrje BE-së që t’ia heq sanksionet Kosovës

Federica Woelk, eksperte për Ballkanin në Parlamentin Evropian, thotë se pothuajse çdo ditë i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’ia heq sanksionet Kosovës.

“Jam shumë e mërzitur për këtë. Pothuajse çdo ditë i bëj thirrje BE-së që të heqë sanksionet ndaj Kosovës, veçanërisht në muajt e fundit me dialogun, pjesa konstruktive ka qenë qartë Kosova dhe jo Serbia. Edhe Serbia ka thënë drejtpërdrejt përballë Von Der Leyen se nuk ka ndërmend ta njohë de fakto Kosovën”, tha Woelk në një intervistë për The Geopost.

Ajo shton se tani është koha që BE-ja të heqë sanksionet ndaj Kosovës, derisa potencon se është shumë e lumtur që Parlamenti Evropian arriti të votojë një Rezolutë e cila është qartësisht pro-Kosovës dhe që tregon shumë fakte edhe për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

Woelk ka theksuar se nuk beson që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mund të anojë nga Perëndimi, meqë shton se “ky është besimi mbi të cilin ata janë të mbështetur sepse nuk ka alternativë për këtë për momentin”.

“Unë mendoj se frika kryesore është se nëse BE-ja vendos sanksione ndaj Serbisë, atëherë do të përfundojë plotësisht, edhe pse tashmë është, por mendoj se ata vërtet kanë shpresë se duke mos vendosur sanksione do të mund të kenë një përgjigje pozitive nga Serbia. Por siç e thatë edhe ju, Vuçiç tashmë po e bën këtë zhvendosje në anën tjetër”.

Woelk ka folur edhe dezinformatat dhe propagandën ruse, duke theksuar se “Në Ballkan është shtuar ndërhyrja ruse”.

“Parlamenti Evropian është i angazhuar në mënyrë aktive në luftimin e dezinformimit, veçanërisht në Ballkan. Por për mendimin tim, mund të bëjë edhe më shumë, si për shembull të futet më shumë në temën e Kosovës dhe Serbisë dhe të përpiqet të kuptojë realisht faktet  e të luftojë për to dhe për mendimin tim kjo ende mungon”, potencoi ajo.