Diplomati amerikan në pension dhe ish-ambasadori i misionit të OSBE-së, William Walker ka folur edhe për procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Walker ka thënë se bisedimet në mes të dy vendeve janë duke vazhduar për një kohë të gjatë dhe se ka shumë pak progres.
Walker nuk është shprehur shumë optimist për procesin e bisedimeve.
Sipas tij, Kosova dëshiron të normalizojë raportet dhe të bëjë paqe në rajon, por Serbia jo.
“Ato janë duke u zhvilluar për një kohë të gjatë me shumë pak progres. Dhe përsëri Vuqiç e Serbia dhe refuzimi i tyre për ta njohur Kosovën, e dini, do ta zvarris procesin përgjithmonë. Mendoj që çdo kush e kupton që Kosova dëshiron të normalizojë raportet, dëshiron të bëj paqe në rajon dhe Serbia me sa duket jo. Serbia duket se dëshiron që ta zvarris dhe ta bëj komunitetin ndërkombëtar t’i bëj presion Kosovës, dhe po e bëjnë, por s’duket që po i bëjnë presion të fortë Serbisë. Kështu që s’jam shumë optimist për procesin e negociatave”, ka thënë Walker për Express.