Gjykata e Lartë nuk u ngrit në lartësinë e misionit të saj që të rrëzojë përfundimisht vendimin e Apelit”, kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha, lidhur me vendimin për vulën e PD-së.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij në prononcim për gazetarët, Berisha theksoi se aktualisht është në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, përsa i përket çështjes së PD-së.
Kryedemokrati shtoi se Gjykata e Lartë, ka disiplinuar treshen gjykuese të Apelit duke kërkuar që të zëvendësohen me gjyqtarë të tjerë kur çështja të rishqyrtohet.
Sali Berisha: “Thjesht, vendimi i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë nuk u ngrit në lartësinë e misionit të saj që të rrëzojë përfundimisht vendimin e Apelit. Aktualisht në fuqi është vendimi i Shkallës së Parë, sepse Gjykata e Lartë nuk e çoi për rigjykim në Shkallën e parë, por e çoi për rigjykim në Apel, duke marrë një vendim disiplinues ndaj treshes që mori atë vendim, duke kërkuar që të mos e gjykojë më ajo, për arsye të cilat duhet lexuar vendimi. Pra, kthehemi siç kemi qenë në fillim, kur vendosi Gjykata e Faktit. Ky është realiteti. Çdo interpretim tjetër është krejtësisht i gabuar.
…Gjykata e Lartë nuk mund të merrte vendim, nëse do gjykonte në lartësi, përveçse njohjen përfundimtare të Gjykatës së Faktit. Pse e them këtë? Vetë Gjykata e Lartë ka disiplinuar, se kjo quhet disiplinim, sepse të të përjashtojë nga e drejta e rigjykimit, ajo normalisht po të mos kishte probleme të rënda, i takonte ta gjykonte e njëjta trupë, por fakti që u detyrua të përjashtojë trupën dhe pastaj, pra kaq skandaloze ishte gjendja aty në vendim, kaq skandaloze ishte saqë nuk mund të përtypej në asnjë mënyrë dhe u detyrua ta kthejë me një trupë tjetër. Në një kohë kur vendimi i vetëm jashtë diktatit të Edi Ramës, do ishte që lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, i cili është në fuqi, por është në fuqi gjersa të gjykohet, që të mos bëjmë interpretime. Të dyshosh tani që Gjykata e Lartë nuk kontrollohet nga Edi Rama, tani mos e pyet…”.