Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar propagandën e tij duke thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është më e rrezikshme se kryeministri Albin Kurti, për sa i përket qëndrimit të saj nda serbëve dhe Serbisë.
Gjatë një interviste të dhënë për “Slobodna”, Vuçiq tha se deri përpara sulmit terrorist në Banjskë, Kurti ishte nën sanksione dhe në një lloj izolimi, prandaj nuk u ftua të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York
“Por për këtë ishte në New York Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës. Ajo është edhe më keq se Kurti kur është fjala për qëndrimin e saj ndaj serbëve dhe Serbisë. Kurti i tërheq të gjitha fijet, por Osmani është më e rrezikshme se ai”, tha Vuçiq, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se në intervistën e dhënë dje për CNN, Vuçiq gënjeu duke thënë se Serbia është shteti i fundit në Evropë që dëshiron konflikt, duke mos e treguar të vërtetën që Serbia, sipas Kosovës, qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, për të cilin sulm përgjegjësinë e mori nënkryetari i Listës Serbe, terroristi Milan Radojiçiq.