Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se gjatë takimit me liderët evropianë në Bruksel më 26 tetor, i është kërkuar që të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, por ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, duke theksuar se “e ka respektuar Kushtetutën e Serbisë”.
“Isha ulur i vetëm përballë Olaf Scholz-it, Emmanuel Macron, Josep Borrell, Miroslav Lajçak. Dhe Macron-i më jep dokumentet dhe më thotë të nënshkruajë. Duke menduar në kokën time në fund kthehem i them që kam Kushtetutën e Serbisë, të cilën e dua dhe e respektoj dhe se nuk mund të nënshkruajë”, tha Vuçiç gjatë një interviste në televizionin serb, TV Prva.
“Jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që lidhet me marrëveshjet e arritura për Kosovën, përveç njohjes de facto dhe de jure”, ka insistuar ai.
Presidenti serb ka pretenduar se Qeveria e Kosovës “po bën dredhi dhe hile në procesin e dialogut
“Unë thashë se jemi të gatshëm t’i kryejmë obligimet tona, por nuk mund të pranojmë asgjë që lidhet me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin në OKB. E kam thënë edhe në Ohër”, shtoi Vuçiç.
Ai ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron të flasë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin, disa politikanë nga Gjermania dhe Britania e Madhe e mbështesin atë. Ju keni parë që në shumë vende ka aktor politik që nuk duan të shohin Asociacionin, si Alicia Kearns”.