Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka marrë pjesë në shënimin e 15 vjetorit të Partisë Progresiste Serbe( SNS) në Shabac të Serbisë.
Vuçiq ka theksuar se gjithmonë do t’i mbështesë progresistët dhe se në tubimet e radhës partiake do të paraqitet me ish-kryetarin e partisë Tomislav Nikoliq. Për shkak të atmosferës zgjedhore- në Serbi priten zgjedhje parlamentare, përfshirë ato krahinore në Vojvodinë sikurse dhe në disa komuna- Vuçiq ka folur edhe për Kurtin. Aty ka fajësuar regjimet e kaluara që kanë liruar Kurtin nga burgjet serbe në vitin 2001. Kurti ishte arrestuar në kohën e bombardimeve ndërkohë që në mediat e Vuçiq lirimi i tij shpesh bëhet temë për t’i akuzuar kundërshtarët, për nevoja të Presidentit serb.
Vuçiq, këtë e ka bërë edhe vet në mbrëmje duke e përmendur Kryeministrin e Kosovës. Sipas tij, partitë opozitare të SNS do ta ndryshonin politikën e partisë në pushtet nga udhëheqja e së cilës Vuçiq është larguar formalisht.
“Ata që do t’ju zëvendësonin dhe që do t’ju mundnin, brenda një dite do të shkatërronin neutralitetin ushtarak serb, do të vendosnin sanksione ndaj atyre që janë në anën tonë për Kosovën dhe do të vazhdonin me politikën e tyre ndaj Kosovës e kjo ka qenë lirimi i Albin Kurtit, pogromi ndaj popullit serb në Kosovë në 2004, shkëputja e Malit të Zi në 2006 dhe Kosova e pavarur në 2008, dhe kalimi administrativ në Republikën e Kosovës në vitin 2011”, ka thënë ai.
Kurti i dënuar me 15 vjet burgim, ishte liruar pas rënies së Millosheviqit, ndërsa autoritetet e atëhershme në Serbi kishin hedhur topin te njëri -tjetri. Kryeministri serb Zoran Gjingjiq kishte thënë se nga gazetat ka mësuar për lirimin e Kurtit, ndërkohë që në raportime se të drejtën për amnisti me kushtetutë e kishte vetëm Vojislav Koshtunica, President i atehershëm i RFJ.