Vëllai i mitur i gruas që u vra sot është plagosur nga të shtënat me armë para Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.
I plagosuri, sipas raportimit të portalit Kallxo.com, është i lindur në vitin 2009.
Ai është jashtë rrezikut për jetë, ka thënë për mediumin gjegjës ushtruesi i detyrës së drejtorit në Spitalin e Ferizajt, Fikret Arifi.
I dyshuari për vrasjen e gruas është ish-bashkëshorti i saj, ka bërë të ditur sot Vjosa Baftiu, zëdhënëse e Prokurorisë në Ferizaj.
Ndërkaq, Policia ka njoftuar se e ka arrestuar të dyshuarin.
Zëdhënësi i policisë, Kanun Veseli tha se i dyshuari ishte larguar pasi kishte shtënë në armë, mirëpo është vënë nën pranga më vonë nga Policia e Kosovës.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull, i cili është dërguar nē Qendren Emergjente në Ferizaj”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.