Në një lidhje direkte në emisionin Kiks Kosova, Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, deklaroi se vonë iu ka ra në mend institucioneve që me qenë të përgatitur për situatën e papunësisë në vend.
Sipas tij situata e punëtorëve ka qenë duke u keqpërdorur për shkak se ata e kishin të pamundur për të udhëtuar jashtë vendit.
Më herët, sipas Vranicës, iu është keqpërdorur kontrata e punës dhe kushtet e punës. Ai potencoi se pandemia ndikoi që të rritet numri i punëtorëve të regjistruar në vend. Sipas tij, në vitin 2019, ka pasur 12 mijë punëtorë në gastronomi, ndërsa tani janë 6 mijë biznese të regjistruara dhe janë 27 mijë punëtorë.
Një përmirësim tjetër, sipas tij, për të ndihmuar rënien e papunësisë, ishte arsimi dual që krejt së fundmi ka filluar të vijë në shprehje.
Vranica shton se ka braktisje të punës pas liberalizimit të vizave, pasi deri në 10 mijë persona e kanë liruar vendin e punës, sipas statistikave që i kanë në terren, derisa thekson se shumë kanë kërkuar edhe pushim pa pagesë.
Tutje gjithashtu ai thotë se deri në 150 mijë persona pritet ta lirojnë vendin gjatë vitit 2024.
Ai shton se ka kontrolle më të mëdha të inspektorëve të punës, poashtu edhe respektim të kontratave të punëtorëve, nga ana e punëdhënësve.
“Bizneset po ofrojnë sigurime shëndetësore, kanë rritur pagat, poashtu shumica e pagës në të kaluarën ka shkuar në shpenzime esenciale, tani ka një përmirësim të gjendjes, pasi që në vitin 2022, 55 përqind ka shkuar në shpenzimet esenciale, por gjendja ende nuk është e kënaqshme”, shtoi krejt në fund Vranica nga Shoqata e Gastronomëve.