Votimi në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Kurti: Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda

Kryeministri Kurti e ka quajtur arritje të madhe faktin që Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

I pyetur rreth këtij vendimi, Kurti tha se ky është vetëm hapi i parë, teksa muajin tjetër do të votohet në Asamblenë Parlamentare në Këshill të Evropës dhe hapi përmbyllës është ai në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në muajin maj.

Kryeministri Kurti tha se ky është një lajm i mirë për krejt Evropën e demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata ruse është jashtë, e Republika e Kosovës po hyn brenda Këshillit të Evropës

“Kjo është një e arritur shumë e madhe për Kosovën, për të cilën Qeveria e Kosovës ka punuar dy vjet e gjysmë pa u ndalur dhe më në fund në këtë pranverë gjithçka po tregon se do të mund të kurorëzohet me sukses. Ky është vetëm hapi i parë. Në këtë pranverë, hapi tjetër vjen në fund të prillit, ku do të votohet në Asamblenë Parlamentare në Këshill të Evropës dhe hapi përmbyllës është ai në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në muajin maj. Është bërë e njohur, e ditur prej nesh dhe e shpresuar më 24 prill të vitit të kaluar, atëherë kur në mbledhjen e ambasadorëve i patëm më shumë sesa dy të tretat e votave”, tha Kurti.

“… është lajm tejet i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hynë brenda”, u shpreh Kurti pas homazheve te varrezat e anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë.

“Bashkë me këtë ne njëkohësisht po bëjmë hapa edhe drejt integrimit evropian, synimi ynë është anëtarësimi në BE dhe në anën tjetër anëtarësimi në NATO, ku dihet që në të dy këto dy institucione, në këto organizma tejet të rëndësishme botëror, edhe politik e ushtarak edhe vleror e strategjik ne do të jemi pranë shteteve mosnjohëse të cilët në këtë mënyrë do ta kenë një argument të fuqishëm për skeptikët në shtetet e tyre që ta bëjnë hapin vendimtar dhe ta pranojnë e njohin pavarësinë e Kosovës”, tha kryeministri Kurti sot para mediave.

Republika e Kosovës të mërkurën e ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. /EO