Von Cramon për Marrëveshjen e Ohrit: Gabuam që i lejuam palët të shkonin pa nënshkruar

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka folur për dialogun dhe qasjen e palëve në marrëveshjet e arritura.

Von Cramon duke folur për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, ka thënë se është një gabim që BE i la të dy palët të shkojnë pa nënshkruar asgjë.

“Tani e ka të lehtë Prishtina të na fajësojë neve, pra BE-në dhe Beogradin që nuk po ecim përpara”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se nëse Kosova dhe Serbia do ta bënin pjesën e tyre, procesi mund të ecte përpara shumë më shpejt.

“Tashmë palët janë shumë selektive: “Unë mund të nënshkruaj atë që është e mirë për mua”, dhe tjetra thotë: “Unë do të nënshkruaj gjithçka, por do të doja ta shihja Serbinë, d.m.th. Beogradin, ta bëj fillimisht”. Por nëse secili do ta bënte pjesën e tij dhe përgjegjësinë e tij, ne mund të ecnim përpara shumë më shpejt. Është në interes të popullit, në interes të rajonit dhe në interes të stabilitetit të kontinentit evropian”, tha Von Cramon, transmeton lajmi.net

Von Cramon ka vlerësuar për Radio Kim se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, nuk është marrë sa duhet me çështjen e Kosovës.

“Përfaqësuesi i Lartë (Josep Borell) nuk është mjaft i njohur me ngjarjet në Ballkanin Perëndimor. Unë mendoj se ai ka ardhur në Kosovë vetëm një herë dhe një herë në Beograd. Nëse dëshironi të merreni realisht me këtë rajon, duhet të bëni më shumë përpjekje dhe të jini më shpesh këtu. Zoti Lajçak ka bërë shumë, nuk mund ta fajësoni se nuk është mjaft aktiv, por nëse keni një përfaqësues të lartë që nuk ka shumë interes për rajonin, atëherë ndonjëherë ndodhin gjëra që dëmtojnë besueshmërinë e Bashkimit Evropian. Ai vjen nga Spanja, shumë thonë se është i njëanshëm. Nuk e di, nuk e pashë që nuk ishte i drejtë për Kosovën, por ka mjaft gjëra që tregojnë se ai nuk dëshmoi se kishte mjaft interes për rajonin”, thotë Von Cramon.