Mund të duket e pabesueshme, por është një histori e vërtetë. Piana Gashi është ambasadorja 2 vjeçare shqiptare e arbëreshëve në botë.
Gjithçka nisi nga emri i saj, pas të cilit fshihet një histori tepër e veçantë, që babai i vogëlushes, Drilon Gashi, e ka treguar. Ndërsa, nëna e saj, Tringa ka rrëfyer se si ajo u shpall ambasadorja më e vogël në botë nga bashkia e Siçilisë.
“Lidhja ime me arbëreshët është ashtu si shumë shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri kanë lidhje. Është një lidhje admirimi, respekti, kureshtjeje për një pjesë të njerëzve që kanë ruajtur kulturën dhe gjuhën për një kohë aq të gjatë. Ajo si të thuash ishte lidhja fillestare.
Një ditë po lexoja në plazh librin e Petro Markos, kur ishim në Dhërmi dhe i thash: “Ky emër po më pëlqen për vajzën, si thua?”. Edhe Tringës iu duk shumë i bukur dhe menjëherë mori një letër dhe e shënoi që kur të vijë koha për të bërë fëmijë në të ardhmen. 8-9 vite më pas vajza lindi dhe ne menduam. Pastaj nga koha që ne kishim vendosur për emrin, mësuam shumë më shumë për historinë e saj, për Pianën. Tringa lidhej me grupe të ndryshme, lexonim historinë dhe si të thuash ideja fillestare lidhej më shumë arbëreshët, me Pianën, me historinë… Kur lindi vajza, ia vumë emrin, pastaj menduam që në një farë forme kjo gjë vlente, ishte shumë e bukur që kishim ruajtur lidhjet me arbëreshët.
Piana jonë lindi në Uashington me emrin Piana, fshatin arbëresh në Siçili të Italisë”, u shpreh babai, shkruan abcnews.al
“Në fakt sivjet kemi vendosur të shkojmë me Pianën, në fshatin Piana di Albanesi. Domethënë në korrik të këtij viti ishte hera e parë që ne shkuam bashkë me Pianës në Siçili te Arbëreshët. Aty u njoftuam nga bashkia që do të ndanin një çmim simbolik për Pianën. Ishte data 7 korrik kur Piana u shpall ambasadore e mbulimit arbëresh Piana në botë”, tha nëna.