Në asnjë moment Kosova nuk ka pasur hezitim për rreshtim pranë shteteve perëndimore në mbështetje të Ukrainës, por deri më tani Ukraina nuk ia ka kthyer me të njëjtën mënyrë duke njohur Kosovën.
Kosova, me kapacitetet e saja, që nga shkurti i vitit 2022, është munduar të ndihmojë shtetin që po ballafaqohet me agresionin e Rusisë.
E këtë nuk e bëri vetëm me sanksionet ndaj Moskës.
Duke e pasur të pamundur ta ndihmojë me armatim, siç bënë shtetet e fuqishme, Forca e Sigurisë së Kosovës ndihmoi me trajnime, duke i përgatitur ushtarakët ukrainas në disa fusha.
“Duke qenë edhe pjesë e grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrianës, me ç’rast dhe kemi ofruar trajnime për pjesëtaret ushtarakë ukrainas, në fushën e deminimit, dhe gjithashtu të materieve të rrezikshme Hazmat, me c’rast kemi pritur në trajnim shumë pjesëtarë, qoftë edhe të pjesës civile”, u shpreh për TV Dukagjinin zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.
Për këtë, Kosova u përmend veçanërisht në një publikim të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, si anëtarja më e re operacionit Interflex, ku deri më tash janë trajnuar 34 mijë rekrutë ukrainas.
Trajnime të tilla, për një grup ukrainasesh ishin bërë edhe pak muaj pas fillimit të luftës, që ishin kryer në qytetin e Pejës.
Por përveç ushtarakisht, Kosova i hapi dyert dhe u bë një shtëpi e ngrohtë për rreth 20 gazetarë ukrainas dhe familjarë të tyre përmes një programi që po vazhdon tash e dy vite.
“Gazetarët marrin një rrogë nga Qeveria e Kosovës, gjithashtu apartamentet e tyre paguan, ndërkaq shërbimet të gjitha kryhen nga asociacioni i gazetarëve, duke iu mundësuar atyre integrim në Kosovë, si kurset e gjuhën angleze, gjuhës shqipe. 3 gazetare kanë marrë edhe fëmijët me vete, ata po i ndjekin shkollat private këtu”, tha Getoarbë Mulliqi – drejtoreshë në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
Megjithatë, Ukraina akoma nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ani pse ka zëra deputetësh atje që e përkrahin këtë ide, veçse vendimi ekskluziv i takon Volodymyr Zelenskit.
Bile deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko kishte propozuar një rezolutë për njohjen e Kosovës nga shteti i tij.
E hiç më pak se një ditë më parë nga samiti i Tiranës Presidentja Vjosa Osmani u shpreh e bindur se njohja nga Ukraina do të vijë me fitoren e luftës kundër Rusisë.
Por njohja nuk do të vijë shumë shpejt, sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare Fidan Ukaj, megjithëse vlerëson se Kosova është në rrugë të mirë.