Vjen një njoftim shumë i rëndësishëm nga Forca e Sigurisë së Kosovës

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka treguar se pas miratimeve të Projektligjeve për FSK-në në Kuvendin e Kosovës, nga sot nuk do të ketë kufizim në numër dhe të drejtë aplikimi në Ushtrinë e Kosovës kanë të gjithë të rinjtë deri në 25 vjeç.

Mehaj është shprehur se pas miratimit të tri projektligjeve, do të avancohet fuqishëm baza ligjore e organizimit dhe funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, shkruan lajmi.net.

Në një postim Mehaj ka listuar se çfarë do të rregullojnë ato Projektligje.

“1. Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, e po ashtu përmes ndryshimit të kriterit të moshës së lejuar për aplikim, krijon mundësi më të mëdha për të gjithë ata të rinj deri në 25 vjeç të cilët duan të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

2. Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, fuqizimin e FSK-së përmes inicimit të programeve të veçanta financiare prë mbështetje të forcës, fuqizimin e rolit të Shtabit të Përgjithshëm, e mbi të gjitha heqjen e kufizimeve sa i përket rekrutimit të pjesëtarëve aktiv dhe rezervë të FSK-së.

3. Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, rregullon kompetencat dhe fushëveprimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrit te Mbrojtjes. Gjithashtu, ky ligj rregullon edhe përbërjen e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, personel ky ushtarak dhe civil, si dhe fuqizimin e kontrollit dhe mbikqyrjes civile demokratike të Forcës së Sigurisë së Kosovës.”, ka shkruar ministri.

Tutje, ai ka theksuar se këto projektligje janë sukses i madh i gjithë Republikës së Kosovës sepse kemi avancuar bazën ligjore në përputhje me interesat tona shtetërore dhe standardet më të larta të legjislacionit të vendeve anëtare të NATO-s.