Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar rreth vizitës së tij në Bled të Sllovenisë ku ka marrë pjesë në Forumin Strategjik.
Ai ka njoftuar për takimet e mbajtura dhe ka theksuar se e ka përmbyllur pjesëmarrjen atje me shumë shpresë për “të ardhmen e ndritur të Kosovës”.
Derisa ka përmendur takimin me Stuart Peach, Kurti ka thënë se kanë diskutuar për bashkëpunimin rajonal, çështjet aktuale dhe procesin e dialogut.
“Për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të dakorduar në Ohër dhe takimin e radhës të nivelit të lartë në muajin tjetër bisedova me emisarin e BE-së, Lajçak. Ndërkaq me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter folëm për situatën tashmë të deeskaluar në katër komunat në veri dhe për rëndësinë e parandalimit të rieskalimit potencial të saj”, ka thënë ai.
Ai ka shkruar se “me mesazhet për BE-në të një unioni vlerash dhe parimesh të përbashkëta, kërkesën që Ballkani Perëndimor të fokusohet në reforma dhe sundim të ligjit dhe vizionin e ofruar për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor deri më 2030, përmbyllëm pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Republikës tonë”.