Një zyrtar policor është lënduar gjatë një aksioni të Policisë dhe Doganës për parandalimin e kontrabandës në fshatin kufitar të Smirës në Komunën e Vitisë.
Policia tha sot se një zyrtar policor është sulmuar gjatë futjes nën kontroll të njërit prej tre personave që janë arrestuar të dielën.
Megjithatë, policia tha se ia doli ta parandalonte kontrabandën e më shumë se një mijë paketimeve të cigareve.
“Me datë 14.01.2024 në fshatin Smirë komuna e Vitisë, policia kufitare ka identifikuar një automjet të dyshuar me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili njëherësh ishte duke përcjellur automjetin e dytë të dyshuar, të ngarkuar me mall të kontrabanduar, në të cilën ndodheshin edhe dy të dyshuarit tjerë meshkuj kosovarë”, tha policia në një njoftim për media.
“Pas përpjekjes së zyrtarëve policor për ta ndaluar veturën e dytë të dyshuar, e njëjta duke i rrezikuar seriozisht zyrtarët policorë dhe doganorë ka goditur veturën zyrtare. Zyrtarët policorë gjatë legjitimimit të të dyshuarve, janë kanosur nga njëri prej tyre, dhe gjatë futjes në kontroll të një personi të dyshuar, një zyrtar policor ishte sulmuar, dhe ka pësuar lëndime trupore për të cilat i njëjti ka pranuar tretman mjekësor”, njoftoi policia.
Policia tha se gjatë kontrollit të automjetit të dyshuar, të ngarkuar me mallra të kontrabanduara, janë hasur sasi prej 1299 boksa të tri llojeve të ndryshme cigaresh.