Ditëve të fundit u than nga qeveritarët se Kosova tani më ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Por fillimi i punës për themelim ende ska filluar, me përjashtim organizata “Friedrich Erbert Stiftung” disa muaj më parë kishte hartuar një draft statut të Asociacionit.
Eksperti i çëshjeve juridike dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket pranimit të themelimit nga institucionet kosovare.
Fillimisht ai sqaroi se Asociacioni i vitit 2013 dhe ai i vitit 2015 ka mbetur në gërmadhat e historisë.
“Ajo që e quajmë Asociacion i takon historisë”, tha ai.
Tek sa shtjellon fillin se si erdhi ky Asociacioni “modern”, Hasani kthehet te marrëveshjet që Kurti ka bërë në fillim të këtij viti.
“Marrëveshja e Ohrit është kontratë e re e Albin Kurtit me serbët lokal sa i përket formimit të autonomisë, nuk flitet për mekanizma tjerë, të cilët kanë egzistu në marrëveshje e kalume”, theksoi ai.
Tutje ai thotë se kjo është një fitore e serbëve karshi shtetit të Kosovës.
“Serbët lokal kanë mungu më 17 shkurt 2008, dhe tani kanë fitu një kontratë të re, e cila do të operojë jashtë rendit Kushtetues të Kosovës”, thotë Hasani.
Duke e sqaruar edhe më shumë, ai vie në konkluzionin se ajo çka ka bërë Kurti në Ohër, është se ky “vetëmenaxhim” është në fakt një autonomi dhe që e ndryshon karakterin e shtetit të Kosovës.
“Bëhet fjalë për një autonomi që ndryshon karakterin unitar të shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.
Profesor Hasani tutje sqaron në detaje dhe thotë se ky pra “vetëmenaxhimi” do të jetë jasht rendit kushtetues të Kosovës dhe do ti ketë fushat e veta operacionale, si ato politike po ashtu edhe ato territorjale etj.
“Ajo autonomi do të jetë operacionale dhe do të operojë jasht rendit ekzistues dhe Kushtetues të Kosovës së pavarur që është shpallë më 17 shkurt 2008, vetëmenaxhimi është emërues i përbashkët i autonomisë politike, territorjale, dhe kulturore që përfshinë edhe çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, KOS do të operojë sipas juridiksionit të njëjtë që operon në Serbi”, nënvizoi ai.
Ish-kryetari i Kushtetueses thotë se termi “vetëmenaxhm” është sinonim i autonomive që ekzistojnë në shtete të ndryshme të europës sot.
“Termi vetëmenaxhim është emërues i përbashkët për të gjitha llojet e autonomive që njihen në territorin e europës së sotme”, sqaroi Hasani.