Shkruan: Gëzim Tushi
Tejet shqetësuese, janë në dukje, por sidomos thelbësisht të pakuptueshme janë qoftë si dukuri individuale kaotike, por sidomos të pamonitorueshme nga ana sociale, janë deformimet e thella ekzistencialisht turbulente për shoqërinë dhe qytetërimin tonë, mënyra si po zhvillohen ngjarjet politike sociale nga njëra anë, dhe raporti i tyre me individin si qytetar. Fenomenet turbulente, egoiste e individualiste, asociale e sociopatike që shfaqen në jetën personale dhe sjelljet individuale janë bërë problematike, konfuze, shqetësuese. Nuk është e lehtë të shpjegosh shkaqet e kësaj situate, të lidhura me historinë, kulturën dhe qytetërimin tonë.
Por është imperative, nëse duam të rregullojmë shëndetin e shoqërisë, sjelljet e individit, duhet të pranojmë determinimet sociale e kulturore të kulturës historike dhe qytetarisë aktuale, sepse akoma në shoqëri janë evidente, madje sunduese qëndrimet e njëanshme, të bazuara dhe të frymëzuara herë nga ide të vjetra doktrinariste, jo kompatibile me natyrën e shoqërisë postmoderne që jetojmë dhe në shumë raste nga tendencat asociale e anarkike të njeriut superindividualist. Tashmë tejet anormale, shqetësuese deri në shfaqjen e sjelljeve asociale, pse jo edhe veprimeve konkrete e të përditshme me natyrë antisociale.
Megjithëse kanë kaluar tri dekada, që duhet teorikisht dhe sociologjikisht të konsiderohen të mjaftueshme për të realizuar procesin makrosocial të “axhustimi” të marrëdhënieve midis nevojave të shoqërisë për kohezion social e vlera të përbashkëta morale e qytetëruese dhe dëshirave normale apo eksentrike të individit, përsëri është shqetësuese distanca ekzistuese në hapësirën e jetës sonë sociale, midis lirisë individuale e përgjegjësisë qytetare. Një “ekuacion” të cilit akoma nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur, për të gjetur zgjidhjet optimale e normale, për të siguruar implementimin e ekuilibruar në jetën e përditshme të marrëdhënieve midis individit, dhe raporteve të tij me shoqërinë, si kusht për të bërë funksionale kërkesat e strukturës së sjelljes dhe veprimtarisë personale.
Duke bërë krahasim me standardet e shoqërisë moderne europiane, duket se situata anomike bashkë me kuptimet sempliste dhe ekscentrikë të raporteve midis lirisë personale dhe përgjegjësisë sociale, është një “haraç” që shoqëria duhej dhe vazhdon padrejtësisht të paguajë për fillimet e ndryshimeve të mbështetura në koncepte nihiliste asociale, individualisht të pabazuara sempliste e anarkiste të fillimit të proceseve demokratike, apo si rezultat i mungesës së dijeve dhe konceptimit antinomik e të thjeshtëzuar të procesit të kalimit nga diktatura në demokraci. Padurimi social, ideja fillestare dominante dhe e mezipritur e konceptit të njeriut të lirë, si njeri i shkëputur nga “prangat e ndryshkura” të shoqërisë totalitare dhe konvencionet e ngurta morale, sollën vërtetë tek njerëzit tanë një autonomi më të madhe morale dhe shpirtërore, por në të njëjtën kohë, edhe një prishje të relacioneve të individit me shoqërinë. Konceptimi i lirisë individuale, si relacion tërësisht personal, si ndjenjë asociale, ka sjellë njeriun autonom dhe të “izoluar” që përpiqet dhe i plotëson vet, nevojat e tij.
Duhet të jesh i verbër, të mos kuptosh, se në shoqërinë shqiptare, si në të gjithë vendet e tjera, është duke u zhvilluar një “kulturë jete”, e mbështetur jo në besimin dhe optimizëm social, por një kulturë individualiste me irritabilitet social në përmasa gjithnjë e më të gjëra. Për pasojë është evidente tendenca e dukshme e nihilimit të trashëgimisë kulturore dhe vlerave morale me dimension social, një lulëzim i shfrenuar i modelit të sjelljes, bazuar në një lloj të veçantë të etikës individualiste. Shembja e idoleve të dikurshme, morale dhe ekzistenciale të shoqërisë së vjetër, dhe nevoja e implementimit të një sistemi të ri të vlerave etike, ka krijuar një “rrëmujë sociale” vlerash, besimesh, simbolesh që pengojnë njeriun për të dalluar atë që është e trashëguar dhe që vlen, nga ajo që duhet flakur si e padobishme.
Natyrisht duke qenë kundër recidivave të kolektivizmit apo komunitarizmit mekanik, duhet pranuar që individualizimi i jetës, është një konstante e pakthyeshme, tipar esencial, kuintesencë e shoqërisë moderne shqiptare. Por që të realizojmë këtë sfidë, duhen rregulluar “ekuilibrat sociale”, në marrëdhëniet reciproke midis individit dhe shoqërisë, tendencës individualiste dhe nevojës për ndjenja sociale e komunitare, si bazë për harmonizimit të interesave. Mënyra individualiste e të jetuarit, është “vlerë e shtuar” e modernitetit, “kusht i panegociueshëm” për suksesin, karrierën dhe prosperitetin individual të njeriut.
Por nuk është normale që në emër të famës, suksesit, karrierës, fitimit, imazhit, protagonizmit, dukjes, që janë ndjenja kuintesenciale të njeriut modern, të prishen radikalisht balancat sociale, të deformohen raportet e njeriut me familjen, grupet sociale, shoqërinë në tërësi. Shoqëri moderne nuk është ajo që ka vënë në qendër të saj njeriun që mendon vetëm për vete, egoist dhe asocial, ekscentrik, që ndjek “rrugën e tij” pa pyetur për shoqërinë dhe vlerat e saj.
Kjo nevojë për të qenë njëherësh “vetja” dhe në të njëjtën kohë, i lidhur me të “tjerët” ka ndryshuar shumë, sepse duket qartë se prirja për të kufizuar lidhjet me të ashtuquajturën “shoqëri e madhe”. Por nga ana tjetër duke ecur sipas logjikës së kohës moderne të konceptuar në mënyrë të njëanshme, kemi filluar të ndejmë humbjet nga reduktimi evident i marrëdhënieve sociale. Sipas mendimit tim, është e vërtetë që në shoqërinë e sotme shqiptare, lidhjet sociale kanë ndryshuar në “sasi”, por ato duhet të bëhen më cilësore, të vërteta. Sepse në thelb janë shtuar mundësitë, janë zgjeruar nevojat, imperativët e “padukshëm”, që kërkojnë në mënyrë organike që njeriu të krijojë, të mbajë marrëdhënie sociale dobiprurëse me të “tjerët”, nëpërmjet anëtarësive sociale, lidhjeve të shumta dhe të shumëfishta interpersonale.
Normalisht është temë e ditës dhe natyrisht që njerëzit diskutojnë, janë të shqetësuar me disa realitete superindividualiste që kanë sjellë zbehjen e lidhjeve jo vetëm sociale por sidomos ato të jetës intime, lidhjeve të gjakut, fisit, fqinjësisë që janë lidhje intensive, dominante për shoqërinë tonë tradicionale të së kaluarës. Ato mund të ndryshojnë formën dhe intensitetin e tyre, nuk duhen zhdukur mekanikisht por duhen zëvendësuar me “lidhje të reja” më moderne. Sepse njeriu si pjesë e shoqërisë, krijon korrelacione më të zgjeruara, intensive, dobiprurëse përmes marrëdhënieve me shumë asociacione, shoqata, grupe interesi, të cilat gjithsesi kanë në platformën e tyre realizimin e disa “qëllimeve kolektive”, të cilat njeriu i vetëm sado i fortë dhe individualist të jetë, nuk mund t’i realizojë pa pasur lidhje sociale me njerëzit e tjerë.
Në esencë të fundit është koha që liria individuale të kuptohet edhe si “përgjegjësi sociale. Ka kohë që shoqëria jonë po përballet me praninë e individëve ekscentrike, anarkistë social, deri në kufijtë e sjelljeve sociopatike. Sasia e veprime abuzive, destruktive, të dhunshme e kriminale, janë tregues të qartë të njeriut pa “përgjegjësi sociale”, që mendon për vete, pa llogaritur të tjerët, duke shpërfillur në mënyrë flagrante nevojën e përshtatjes me sistemin e vlerave dhe determinantët social. Njerëzit që e ndërtojnë jetën të bazuar vetëm në unin e tyre të “kulluar”, shoqëruar me anomali sociale, sjellje e pasione të pakontrolluara, janë jo vetëm në zgjerim patologjik, por po tentojnë për t’u bërë shtresë evidente dhe fenomen social bezdisës për shoqërinë tonë. Për pasojë gjithnjë e më shumë ajo po përballet ekzistencialisht ashpër me njerëz që shfaqin devijime të rrezikshme kriminale, mungesë të vetpërmbajtjes urbane, duke neglizhuar nevojën e shfaqjes së domosdoshme të pjekurisë qytetare dhe racionalitet human. Këta janë tipologjikisht njerëz të izoluar “brenda vetes”, indiferentë ndaj çështjeve publike, nga që kanë prirje për të qenë të “atomizuar” dhe izoluar ndaj çështjeve sociale, duke mbivlerësuar vetëm aspektet që kanë lidhje me sjelljet e tyre individualiste, egoiste e konkurrenciale. Ata e kanë lirinë të konceptuar në mënyrë të njëanshme dhe pa menduar për anën tjetër të “ekuacionit”, përgjegjësinë sociale. Kjo kategori sociale shfaq prirje të individualizmit, si raport i “vetes me vetveten”, pa pasur lidhje, pa respektuar rregullat, normat e vlerat që ndërtojnë personalitetin e tyre dhe garantojnë shfaqjen e përgjegjësisë qytetare si qenie shoqërore. Ky proces i “denatyrimit social” të kësaj shtrese shoqërore bezdisëse dhe shqetësuese për shoqërinë, po sjell efekte degraduese për shëndetin e shoqërisë shqiptare në tërësi. Personalisht mendoj se jemi në një situatë, që duhet vlerësuar integralisht, sociologjikisht por edhe në trajtë empirike, për të parë, kuptuar dhe interpretuar drejt situatën shqetësuese, gjithnjë e më shumë kaotike, që ka sjellë ngatërrimi konceptual dhe real, i raporteve të reja midis autonomisë dhe integritetit vetjak të njeriut si shprehje e sigurt e lirisë, me përgjegjësinë e sjelljes individuale në shoqëri.
Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, është me rrezik që ky ekuacion ekzistencial ka mundësi të ecë në rrugën e degradimit dhe afunksionalitetit. Terapia sociale kërkon të të kultivojmë në familje, shkollë, shoqëri civile dhe gjithë institucionet e sigurisë morale dhe kulturës qytetare, për të ndërmarrë një “aksion kombëtar” për të rregulluar raportet e sjelljes, midis koncepsioneve morale detyruese dhe lirisë subjektive, objektivave utilitariste, dobiprurëse të jetës së individit. Nuk jam pesimist, as i mbuluar nga dëshpërimi për situatat që kalojmë. Por nga ana tjetër, na duhen përpjekje për të ecur në rrugën e duhur, për të rregulluar këtë ekuacion ekzistencial midis lirisë dhe përgjegjësisë, si garantues për vendosjen e raporteve të drejta, të ekulibruara midis qytetarit dhe shoqërisë.