Gjatë muajit shkurt, Kosova ka pranuar 84.3 milionë euro remitenca nga diaspora. Parashikimet e Bankës qendrore janë që gjatë këtij viti të ketë rritje të remitencave për 6.7%.
Njohësit e ekonomisë thonë se qeveria duhet të hartojë politika zhvillimore, në mënyrë që dërgesat të mos shkojnë vetëm në konsum.
Në kohën kur qytetarët po përballen me ngritje të çmimeve, ndihmat financiare nga mërgimtarët po vlerësohen si shumë të domosdoshme.
Vetëm në shkurt të këtij viti sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vendi ka pranuar 84.3 milionë euro remitenca.
Derisa sipas BQK-së, parashikimet janë që gjatë këtij viti të ketë rritje të remitencave për 6,7 %, e që i bie 7 % më shumë se vitin e kaluar, e 11% më pak se gjatë 2021-tës.
“Remitencat gjatë vitit 2022 shënuan rritje prej 6.0% (17.7% rritje në 2021). Ky ngadalësim mund të jetë si rezultat i rritjes së ngadalësuar të aktivitetit ekonomik në Eurozonë, si dhe rritjes së inflacionit në vendet dërguese. Vlerësimet preliminare sugjerojnë për një rritje të remitencave prej 18.9% në janar 2023, përderisa parashikimet e BQK-së sugjerojnë rritje prej 6.7% për vitin 2023”, njofton BQK.
Me vite të tëra, diaspora përmes rritjes së remitencave ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit./Express