Në pesë vjetët e fundit, Kosova ia ka dal të sigurojë vetëm dy njohje të shtetësisë.
E për këtë zëdhënësi i PDK-së Faton Abdullahu dhe aktivisti i PSD-së, Dren Kukaj i thanë Ekonomia Online se fajtore është Qeveria Kurti dhe raportet e saj me ShBA-në dhe shtetet e tjera mike.
Abdullahu tha se nuk mund të pritet që të ketë njohje të reja e as që të ndodhë ndonjë hap konstruktiv në këtë drejtim sepse Qeveria e Kosovës nuk ofron bashkëpunim kur vije fjala tek politikat rajonale e bashkëpunimi ose koordinimi me shtetet e ndryshme.
Ai tha se Qeveria nuk ka raporte korrekte me ShBA-në, e gjithë kjo sipas Abdullahut si shkak marrëzive e paaftësisë së Qeverisë Kurti.
“Sa i përket njohjeve është fakt se nuk ka njohje të reja. Nuk mund të presësh nga kjo qeveri që të bëjë diçka konstruktive dhe të dobishme në këtë drejtim. Nuk mundet. Nuk di. E dini pse nuk mundet dhe pse nuk di? Ngase në këtë përmasë, në këtë dimension kur kërkohet politika rajonale, politika më të gjera planetare për të pasur raporte, interesa, zhvillime nga më të ndryshmet me shtete të ndryshme kërkohet drejtpërdrejtë bashkëpunim, koordinim me SHBA-në, kjo qeveri nuk e bënë këtë”.“Kjo është arrogante, qasja e saj është përjashtuese, është donkishotiane në politikën që e bënë, ku mund të presim ne njohje kur kjo qeveri s’ka raporte korrekte me SHBA-në, kur kjo qeveri tejkalon Shqipërinë dhe shkon kënaqet muhabet në Greqi dhe jo me vëllain e vetë. Kush do i ndihmojë kësaj Qeverie. Si mendon kjo qeveri të nxjerrë përfitime në dialog me Serbinë, në përballje me Serbinë kur në të njëjtën kohë jemi në masa ndëshkuese, jemi në sanksione. Pse? Për shkak të marrëzive, kryeneqsisë dhe paaftësisë së kësaj qeverie”, u shpreh Abdullahu.
Dren Kukaj, ish-anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Kosova i ka marrëdhëniet në nivelin më të ulët me ShBA-në dhe se është tejet jo realiste që të diskutohet për njohje të reja.
Sipas tij, edhe njohjet që i kemi marrë deri më tani i kemi si rezultat i përkrahjes së shteteve mike.Ai pohon se Kurti i ka dëmtuar seriozisht dhe qartazi këto raporte me ShBA-në dhe vendet e tjera mike të Kosovës për çka ai tha se janë përpjekje të pakuptimta.
“Unë mendoj që në situatën ku Kosova është vënë në sanksione nga vendet më mike të saj dhe i ka marrëdhëniet në nivelin më të ulët me ShBA-në, mendoj se është iluzore që të diskutohet për njohje të reja kur e dimë që të gjitha njohjet, për mos të thënë, mbase shumica e njohjeve që i kemi marrë si shtet i pavarur kanë qenë falë ndihmës që na e kanë dhënë këto shtete mike me të cilat marrëdhëniet kryeministri Kurti i ka dëmtuar, mendoj unë, seriozisht qartazi për disa përpjekje të cilat shumë shpejt edhe do i braktisë e që e ardhmja do i njeh si krejtësisht të pakuptimta”, tha Kukaj.