Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë kësaj jave, kanë bërë që disa komuna në Kosovë të vërshohen nga shiu. Skënderaj, Mitrovica, Klina, Istogu janë nga komunat më të prekura, kurse dëmet arrijnë në miliona euro.
Shumë shtëpi janë rrëzuar, bizneset kanë pësuar dëme të mëdha e qinra vetura gjithashtu janë dëmtuar nga uji. Kryetarët e komunave kanë kërkuar ndihmën e qeverisë, pasi dëmet janë të mëdha.
Qeveria e Kosovës ditën e enjte kishte lëshuar një komunikatë për media, ku theksonte se të gjitha institucionet janë në gjendje gatishmërie.
Qeveria e Republikës së Kosovës është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me Policinë e Kosovës dhe të gjitha njësitë e zjarrfikësve, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik emergjent 112”, thuhet në fund.
Kryetari i Skëdnerajt, Fadil Nura, kishte bërë të ditur se janë evakuuar mbi 100 familje. Për shkak të situatës, atje ishte shpallur edhe gjendje e jashtëzakonshme.
Komunat më të prekura nga vërshimet, pas shumë reagimeve, i kishte vizituar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet. Presidentja Osmani ka vizituar biznese dhe ekonomi familjare, të cilat kanë pësuar nga vërshimet. Në këtë frymë, Presidentja ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t`u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për t`i zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme”, thuhej në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Situata me reshjet orëve të fundit është stabilizuar, dhe nuk priten reshje të mëdha.
Mesazhet e emisarëve
Pesë diplomatë të fuqishëm zbarkuan këtë javë në Kosovë. Kryefjala dihet: dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë. Në mesin e vizitorëve përveç Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, ishin edhe këshilltarët e presidentit francez, kancelarit gjerman dhe një përfaqësues nga Italia.
Temë kryesore e diskutimit ishte plani franko-gjerman, i cili pas Kosovës, u diskutua edhe me Vuçiqin në Beograd.
Pas përfundimit të takimit, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak tregoi se kanë pritur mirëkuptim më të madh lidhur me planin franko-gjeran.
“Qëllimi i takimit me Kurtin ishte propozimi ynë për normalizim të marrëdhënieve që e prezantuam në shtator dhe pastaj në dhjetor. I kaluam më shumë se dy orë, takimi ishte i gjatë, jo i lehtë, por ishte i sinqertë dhe i hapur. Është ende herët të bëjë ndonjë deklaratë dramatike, sepse siç e dini ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të udhëtojmë edhe për në Beograd. Nuk mund të them shumë, por mund të them se kemi pritur mirëkuptim më të madh për mundësitë që ofron ky propozim. Shpresoj se do të arrijmë aty. Ne do të vazhdojmë të punojmë”, tha Lajçak para mediave.
Pas këtij takimi, detaje u dhanë edhe nga Qeveria e Kosovës.
“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Plani franko-gjerman dhe intensifikimi i dialogut Kosovë-Serbi ishte tema kryesore edhe në vizitën e këytre diplomatëve në Beograd.
Gjykimi në Hagë
Një tjetër zhvillim tejet i rëndësishëm gjatë kësaj jave ishte edhe seanca e mbajtur në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Një nga zhvillimet kryesore ishte fakti që data 21 mars u caktua si afat për nisjen e gjykimit, dy vjet pas arrestimit të krerëve të UÇK-së.
Si Prokuroria, ashtu edhe avokatët janë pajtuar që procesi gjyqësor të fillojë më 21 mars me deklaratat hyrëse. “Gjykimi fillon më 21 mars nëse nuk ka rrethana përjashtimore”, tha kryegjyqtari Smith.
Vetëm Prokuroria e Specializuar ka kërkuar rreth 700 orë kohë për prezantimin e provave të saj. Prokuroria do të ketë rreth 300 dëshmitarë, megjithatë jo të gjithë do të ftohen në sallën e gjykimit.
Është një numër dëshmitarësh në këtë listë të cilët janë të rregullës 153 dhe 155, të cilët nuk synojmë që t’i thërrasim të vijnë këtu por do të mbështetemi në dëshminë e tyre, jo të gjithë këta dëshmitarë do të vijnë këtu për të dhënë dëshminë para trupit gjykues dhe në fakt disa nuk e bëjnë dot një gjë të tillë, por ata që do të vijnë këtu për të dhënë dëshmi sipas rregullës 154 janë ata që janë në listë. Është e mundur që gjatë gjyqit dëshmitarët mund të paraqesin dëshmi që ta bëjnë të panevojshëm paraqitjen e dëshmitarëve të mëvonshëm por kjo do të varet nga zhvillimet gjatë gjykimit”, kanë thënë nga Prokuroria, transmeton Nacionale.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se janë dy procese gjyqësore ndërkombëtare që kanë konstatuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte politikë të sulmit kundër civilëve.
Dy gjykime, ai i Haradinajt dhe Limajt, kanë konkluduar se nuk kishte politikë që UÇK-ja të sulmonte civilet”, ka thënë Emmerson.
Mbrojtja e Kadri Veselit e ka sfiduar edhe një herë prokurorinë me vendime të Tribunalit për ish Jugosllavi. Ben Emmerson, avokat i Veselit foli rreth akuzes për përgjegjësi komanduese në UÇK që Prokuroria e Specializuar e pretendon në aktakuzën kundër krerëve të UÇK-së.
Emmerson ia rikujtoi prokurorit Alan Tieger se sa ishte edhe ai prokuror në ICTY, aty nuk kishte akuzë për përgjegjësinë komanduese kundër Ramush Haradinaj./Nacionale