Shefit të Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, Blerim Feka, i cili të mërkurën u përfshirë në një ngatërresë me babain e një foshnjeje që ndodhet në trajtim mjekësor në këtë institucion shëndetësor do t’i jepet vërejtje nga Këshilli drejtues i Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed”, deri në përfundim të hetimeve nga prokuroria.
Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin nga drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed”.
Sipas përgjigjes së tyre dërguar Telegrafit, pas vërejtjes dhënë mjekut Feka do të presin rezultatet e hetimit nga prokuroria.
“Duke pasur parasysh se Prokuroria Rajonale në Mitrovicë ka dalë me komunikatë në medie se ka hapur rast hetimi, ku po hetohet nëse ka elemente për incizim të paautorizuar nga pala, vepër penale por edhe nëse ka elemente të shkeljes nga dr. Feka, Këshilli Drejtues i Spitalit, duke mos ndërhyrë në hetimet e Prokurorisë si organi më i lartë dhe duke ofruar bashkëpunim dhe përkrahje të plotë për hetim dhe zbardhje të rastit, do të pres rezultatet e hetimit të Prokurorit të rastit. Njëkohësisht, bazuar në legjislacionin në fuqi, dr. Feka do të marrë vërejtje nga Këshilli Drejtues, si masë fillestare, deri në përfundim të hetimeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërkaq, të mërkurën zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti kishte konfirmuar rastin.
“Rasti është raportuar sot rreth orës 15:00. Është cilësuar si prishje e rendit dhe qetësisë”, ishte shprehur Zahiti.
Ndryshe, për rastin të mërkurën kishte reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).
SHSKUK ka kërkuar nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë të trajtojë rastin e mjekut njëherit Shef i Repartit të Gjinekologjisë Blerim Feka, i cili në dy video të publikuara shihet teksa përplaset verbalisht me familjarin e një pacienteje.
ShSKUK ka kërkuar nga spitali të merren masa urgjente ndaj mjekut konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi.
Në reagimin e ShSKUK-së thuhet se mjeku ka komunikuar me arrogancë me palët, ani pse ShSKUK ka kërkuar “nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, që në baza të rregullta, pacientëve që marrin trajtim shëndetësorë, por edhe familjarëve të autorizuar, t’u jepen informata nga mjekët, shefat e reparteve dhe nëse ka nevojë edhe nga drejtorët e klinikave-spitaleve të përgjithshme”.
“Në lidhje me videot që po qarkullojnë në rrjete sociale, ku në komunikim me familjarët e pacientëve është i përfshirë një mjek i Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, i cili komunikon me arrogancë me palët, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron se ka kërkuar urgjentisht nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë, të trajtojë rastin dhe të merren masa urgjente, konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi”.
“ShSKUK, në vazhdimësi përmes shkresave dhe Qarkoreve Informative, ka kërkuar nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, që në baza të rregullta, pacientëve që marrin trajtim shëndetësorë, por edhe familjarëve të autorizuar, t’u jepen informata nga mjekët, shefat e reparteve dhe nëse ka nevojë edhe nga drejtorët e klinikave-spitaleve të përgjithshme.
Për sjelljen jo të mirë të gjinekologut Feka, kishte pasur ankesa edhe dy vite më parë.