Vendos gjykata: 30 ditë paraburgim për 36-vjeçarin që vrau ish-bashkëshorten e tij

Gjykata e Ferizajt ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 36-vjeçarit V.A., i dyshuar për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Këtë për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Ferizaj, Vjosa Baftiu.

“Prokuroria sot ka parashtru kërkesë për paraburgim në Gjykatën Themelore në Ferizaj në afat prej 30 ditësh dhe nga Gjykata është caktuar masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit”, ka thënë Baftiu.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, kërkoi caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit V.A. lidhur me rastin e vrasjes së 21-vjeçares në Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit ZORAKI M 2906-T, me një karikator të zbrazur, e cila më 12 prill 2024, i’u është konfiskuar nga policia, me çka kreu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.