Nga nesër ndalohet përdorimi i dinarit serb në pagesat me para të gatshme në vend, sipas një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kjo ishte çështje diskutimi në takimin e djeshëm që i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak e pati me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.
Lajçak paralajmëroi pas takimit se sot do të jepen më shumë informacione lidhur me këtë çështje nga ana e Qeverisë, pa dashur të japë hollësi për diskutimet rreth kësaj.
“Ne e përmendëm këtë çështje të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, por nuk dua të veproj si zëdhënës i Qeverisë kosovare, por ju do të njoftoheni nesër”, tha Lajçak.
“Pra, ju do të mësoni më shumë rreth kësaj”, shtoi ai.
Diplomati europian tha se pati diskutim”shumë të gjata” me kryeministrin Albin Kurti dhe se kur tani do të analizojë se çfarë dëgjoi si në Kosovë, ashtu edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd të hënën. Diskutimet i përshkroi edhe si “të dobigjshme” dhe “të sinqerta”.
Lajçak tha se “do t’i njoftoj shtetet anëtare dhe kryesinë e Bashkimit Europian dhe do t’i përgatisim hapat e ardhshëm në proces”.
Duke folur për procesin e dialogut, Lajçak tha se “më nuk ka nevojë të bëjmë pyetje se çfarë duhet të bëhet, madje as nuk ka nevojë ta pyesim veten se si ta bëjmë”. “Pyetja është kur ta bëjmë. Dhe nëse më pyesni mua, unë do të thoja pa vonesa, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.