Vendimi i ZRrE-së: KEDS fillon shkyçjen e bizneseve, mbi 1400 kompani rrezikojnë të mbesin pa rrymë

Kompania KEDS ka bërë me dije se sot ka filluar zbatimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shkyqjen e konsumatorëve komercialë, të cilët nuk kanë lidhur marrëveshjes me një furnizues të licencuar nga ZRrE-ja.

Përmes një komunikate për media, kjo kompani ka treguar se sot ka filluar shkyçjen e mbi 1400 bizneseve.

Siç kemi informuar para pak ditësh se në respektim të njoftimit-vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht 2025, KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja.

Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë, të cilët nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.

Më tej, ka treguar edhe mënyrën e shkyqjës së këtyre bizneseve.

Po ashtu, ju njoftojmë se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë.

KEDS vazhdon të inkurajojë këta konsumatorë që sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, lista e të cilëve gjendet në ueb faqen e ZRRE-së, për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike”, është thënë në njoftim.