Vendimi i Supremes: Nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë deputetë përbën shkelje kushtetuese

Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar të martën se nxjerrja e akteve nënligjore nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.

Ky konstatim ka ardhur në lidhje me Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për arkat fiskale digjitale, të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Supremja argumenton se, sipas nenit 28 dhe 29 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon me zgjedhjen si deputetë, ndërsa mandati katërvjeçar i Qeverisë përfundon me mbylljen e legjislaturës së Kuvendit.

Në pjesën e vendimit, theksohet gjithashtu se neni 31 i Ligjit për Qeverinë kufizon veprimet e Qeverisë në dorëheqje vetëm në aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin Vjetor të Punës dhe Ligjin e Buxhetit, duke përjashtuar “miratimin e akteve nënligjore normative të reja”.

Gjykata citon faktin se, që nga 27 marsi 2025, kur u certifikuan zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve, Hekuran Murati figuron si deputet, gjë që, sipas nenit 71 të Kushtetutës, e bën të paligjshëm ushtrimin e funksioneve të dyfishta si deputet dhe ministër.

Prandaj, përderisa akti i kontestuar është nxjerrë nga një autoritet i paautorizuar dhe në mungesë të kompetencës ligjore, si dhe është në kundërshtim me parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, Gjykata vlerëson se akti i kontestuar duhet të shfuqizohet si i kundërligjshëm dhe në shkelje të dispozitave kushtetuese,” përfundon vendimi.

Me këtë vendim, Udhëzimi për arkat fiskale digjitale është hedhur poshtë, duke rikthyer në vëmendje nevojën për të respektuar ndarjen e pushteteve dhe kufizimet ligjore të mandatit qeverisës.