Vendimi i Kurtit për pagat hyn në fuqi në fushatë

Në fund të mandatit, Kryeministri Albin Kurti ka vendosur t’i rris pagat në sektorin publik. Në konferencën kur njoftoi për këtë rritje, Kreu i ekzekutivit tha se qeverisjet e kaluara vendime të tilla kanë marrë vetëm në kohë fushate, duke harruar se edhe vendimi i tij do të hyjë në fuqi pikërisht në kohë fushate, e një muaj para zgjedhjeve. Opozita e ka cilësuar këtë rritje si “hajgare me dinjitetin e shërbyesve publik”

Nga 55 euro më shumë do t’i marrin punonjësit e sektorit publik duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, plus edhe 55 euro të tjera nga muaji korrik. Në total, atyre do t’u rriten pagat për 110 euro në vitin 2025.

Në një konferencë për media, që e mbajti bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Kurti bëri me dije se kjo rritje sivjet nuk do të bëhet përmes rritjes së vlerës monetare të koeficientit siç ka ndodhur sivjet, por përmes rritjes së koeficientit për një njësi. Duke duke filluar nga janari, koeficienti do të rritet për gjysëm njësie, si dhe për gjysëm njësie tjetër nga korriku.

“Shprehur në vlerë monetare, i bie që të gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat për ta do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari, dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm 2025”, tha Kurti.

Kurti tha se ky është viti i tretë radhazi që po i rrit pagat. Si zakonisht, përmendi qeverisjet e kaluara duke thënë se i rrisnin pagat vetëm njëherë, edhe atë gjatë fushatës zgjedhore.

“Tani në vitin 2025 do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat radhazi.  Pra përderisa në të kaluarën, pagat rriteshin vetëm njëherë edhe atë në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave ashtu siç e parasheh edhe Ligji”, shtoi Kurti.

Ende pa e përfunduar konferencën, filluan reagimet për këtë vendim të tij.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se që në javën e parë të qeverisjes së tij, koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro.

“Ndryshimi po vjen!”, tha Abdixhiku.

Reagimet vazhduan edhe nga zyrtarë të tjerë të kësaj partie. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, tha se ky vendim përfaqëson më së miri modelin e qeverisjes Kurti.

“Gjithçka gjysmë, asnjë vendim i plotë, asnjë veprim i plotë, asnjë masë e plotë, asnjë reformë e plotë – asgjë e plotë.  Një qeverisje gjysmake, nga qeveritarë gjysmakë, siç është edhe ky koeficient gjysmak për pagat në sektorin publik.  9 shkurti po afron, dhe bashkë me të do të vijë edhe ndryshimi i plotë!”, shkroi Gashi.

Berat Rukiqi e cilësoi këtë si hajgare me dinjitetin e shërbyesve publik. Sipas tij, kjo rritje nuk i kompenzon as shpenzimet e rritura nga rritja e çmimeve.

“Në përqindje, vetëm 9.65% rritje në Janar 2025, ndërsa 19.30% në Korrik të vitit 2025. Mos të harrojmë, që rritja e çmimeve në 3 vitet e fundit ka qenë 22.5%, pra rritja e paralajmëruar e pagave, nuk i kompenzon as shpenzimet e rritura nga rritja e çmimeve. Me ndryshimin që po vjen, në ditën e parë të qeverisjes, me Lumirin Kryeministër, koeficienti bëhët 150”, shkroi Rukiqi.

Kritika pati edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, tha se kjo rritje nuk I mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetetës.

“Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar”, shkroi Haxhiu.

Zyrtari tjetër i kësaj partie, Arben Mustafa, e quajti këtë “Qeveri të harrnimeve”.

“Një qeveri që tërë mandatin e ka shpenzu tu shpërnda lëmoshë, po e përfundon mandatin duke premtu vazhdim të lëmoshës! Nuk përmirësohet standardi i jetesës duke u harrnuar me nga gjysëm koeficienti! Tani është koha të ecim përpara me Kryeministrin Bedri Hamza, për përmirësim të vërtetë të jetës në Kosovë!”, shkroi Mustafa.

Ndërkohë, Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, tha se në janar çkado që bëhet është fushatë.

Ai tha se do të insistojnë për ngritje së paku 30% duke e pasur parasysh ngritjen e çmimeve

“Sa i takon rritjes, ne nuk kemi kurrgjë zyrtare, mirëpo kemi insistuar nga zotëri Kurti dhe Murati që ngritja të jetë në shtatorin që iku, të jetë së paku në këtë tetor dhe të jetë së paku 30%. Sepse ngritjet që u bënë në fillim të këtij viti nga 105-110 ishin ironike, ngase në arsimin parauniversitar siguruan një rritje 28 euro dhe unë po them njeriu turpnohet me i kallëzu një shteti fqinj sepse një pjesë të shteteve nuk i kemi fort miq. E çka don me i thanë dikujt na e rriti shteti 28 euro pagën, kur në shtetet tjera ka arrit te 900 e te 1 mijëshi. Kjo rritja në janar e ato janë sikur në Pejë që janë do fjalë “a po m’i jep do sende veresi”. Në janar çkado që bëhet është fushatë dhe një ngritje e tillë tash me shku me 50 euro me 20 euro është jo e pranueshme për ne”, tha Jasharaj.

Sa janë pagat e mësuesve, policëve, infermierëve, zjarrfikësve dhe ushtarëve e sa do të bëhen?

Në konferencën që mbajtën, Ministri Hekuran Murati, bëri një krahasim mes pagave aktuale të mësuesve, policëve, infermierëve, zjarrfikësve dhe ushtarëve dhe ato pas rritjes.

Sipas tabelës që prezantoi, mësuesit nga 616 euro sa paguhen tash, me rritje do të marrin 726 euro.

Për policët nga 550 euro, rritja do të jetë në 660 euro. Infermierët nga 605 euro sa marrin tash, vitin tjetër do të marrin 715 euro. Zjarrfikësit prej 550 euro pagë që kanë tash, do të paguhen 660 euro. Ndërkohë ushtarët nga 616 euro sa e kanë pagën tash, vitin tjetër do të marrin 726 euro./Express