Vendet mosnjohëse dhe dialogu pengesë që Kosova as sivjet të mos bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe

Republika e Kosovës as në vitin 2023 nuk do të arrijë të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe, që është parakusht për anëtarësim në NATO. E ky dështim sipas analistëve po bëhet për shkak se katër shtetet e tyre anëtare nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Ndonëse përmendin kushtet që janë plotësuar për anëtarësim në këtë organizatë, analistët kërkojnë përshpejtim edhe për shkak të rrezikut nga Rusia dhe luftës në Ukrainë e Izrael.

Për vonesa në këtë drejtim, analistët përmendin edhe dialogun Kosovë-Serbi.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për EO se se vetë transformimi i FSK-së në Ushtri është shenjë për anëtarësim, fillimisht në Partneritet për Paqe e më pastaj edhe në NATO. Shala konsideron se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në këtë organizatë.

“Kosova i ka ndjekur të gjitha hapat e parapara të një rruge e cila dërgon në projeksione për t’u bërë anëtare për Partneritet për Paqe, rrugë e cila si transformimi i FSK-së është në progresin e saj maksimal dhe mbi këtë bazë do duhej t’i presim vetëm disa ndryshime të konturave politike në kuadër të NATO-s, ku do t’i jepej mundësia që FSK-ja të jetë përbërëse e saj sipas zhvillimet gjeopolitike dhe gjeostrategjike, mund të thuhet se Kosova është shumë afër rrugës së saj drejtë NATO-s”, u shpreh Shala.

Por ish-ushtaraku, Nuredin Ibishi, e sheh pengesë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe mosnjohjen nga disa vende anëtare por për shkak të rrezikut nga Rusia, është i bindur se do të tejkalohet.

Kjo gjë sipas tij mund të arrihet me përfundim të dialogut Kosovë-Serbi.

“Po janë disa pengesa para se ne të hyjmë në Partneritetin për Paqe por që kjo do të arrihet me marrëveshjen që është pranuar nga ana jonë por jo edhe nga Serbia në Ohër. Problemi është te katër vendet që nuk e kanë njohur Kosovën por që realiteti është për shkak të rreziqeve dhe kërcënimeve nga Rusia, është e mundshme që edhe kjo të tejkalohet me një marrëveshje interne. Neni 10 i Traktatit të Uashingtonit tregon që detyrimisht duhet të jetë pranimi i gjitha vendeve anëtare të NATO-s për pranim, kjo është një fazë pak e ndjeshme por që kjo tejkalohet, mu për atë nëse kjo marrëveshje arrihet lidershipit të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe ShBA-së”, ka thënë Ibishi, transmeton Klankosova.tv.

Ndonëse përmend rrezikun nga Rusia, njohësi i sigurisë ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të përfundojë sa më shpejtë, gjë që e sheh pengesë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare.