Veç VV-ja në Kuvend: Votohet buxheti për vitin 2024

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë buxhetin për vitin 2024. Në votim, nuk kanë marrë pjesë deputetët e partive opozitare, por vetëm ata të pushtetit.

Me 63 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovëskanë votuar për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Në lidhje me këtë, ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti, duke thënë se “buxheti edhe këtë vit u miratua në muajin dhjetor, ashtu siç edhe duhet”.

“Me këtë buxhet të përgjithshëm prej mbi 3.3 miliardë euro, që është për 35% më i lartë se buxheti që gjetëm në vitin tonë të parë të qeverisjes, po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend.” – ka shkruar tutje ai.

Ndërkohë, në lexim të parë projektbuxheti ishte votuar gjatë muajit nëntor.

Atë kohë, kryeministri Kurti e kishte cilësuar këtë si buxhet të mbrojtjes dhe sigurisë.

Prioritet, sipas tij, kanë edhe ekonomia, shëndetësia, arsimi e sundimi i ligjit. Kurti pretendoi se për 32 muaj të mandatit të tij, janë shtuar 60 mijë vende pune.

Kurti përmendi edhe rritjen e buxhetit për komunat për 200 milionë euro më shumë. Por kundër projekt-buxhetit ishin partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk përkrahën ndarjet buxhtore për vitin 2024 duke thënë se i njëjti nuk paraqet interesat e qytetarëve të Kosovës.

Ata madje kritikuan se në këtë buxhet nuk parashihet asnjë projekt madhor.

Komunat?

Vlen të theksohet se një pjesë e madhe e parave për investimet në komuna, ka shkuar pikërisht te qytetet që drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo u bë e ditur pas një analize të publikuar nga instituti GAP.

Sipas Projektit Buxheti 2024, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Në këtë shumë, mbi gjysmën e saj, ose 59.5%, (13 milionë euro) është drejtuar në katër komunat e udhëhequra nga VV, të cilat përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë.

Gjilani vazhdon të jetë komuna me investimet më të larta, duke përfituar 29% të gjithsej shume, ose 6.3 milionë euro. Ndërsa Shtimja dhe Prishtina ndjekin pas me 12.6% dhe 10% të investimeve të reja, të cilat përbëjnë 2.7 milionë dhe 2.3 milionë euro, respektivisht.

Pjesë interesante nga analiza e GAP është ndarja e investimeve për kokë banori. Komuna e Shtimes ka një vlerë të lartë me 102.15 euro investime për kokë banori. Gjilani dhe Kamenica ndjekin pas me 85.69 dhe 80.26 euro investime për kokë banori.

Katër komuna që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës; Ferizajn, Skënderajn, Kaçanikun e Hanin e Elezit, nuk figurojnë fare në listë.

Në një tubim elektoral në vitin 2013, para qytetarëve të Skenderajt, Kurti kishte thënë se Qeveria e saj kohe vetëm kishte krijuar përshtypjen se po e ndihmon Drenicën.

Qeveria e Kosovës e ka krijuar përshtypjen që po e zhvillon dhe po e ndihmon Drenicën shumë, mirëpo komuna e Skenderajt është komuna me nivelin më të naltë të papunësisë në Kosovë, plot 67 për qind, dhe nder komunat më të varfra në Kosovë. Nëse kështu po e ndihmon Qeveria e Kosovës Skenderajn, besoj që Skenderaj është shumë më mirë ia del pa ndihmën e Qeverisë së Kosovës.” – kishte thënë ai.

Ndërkohë, komunat e qeverisura nga LDK, që kanë 23.7% të popullsisë dhe 15.8% të territorit, marrin vetëm 17.8% të investimeve në projekte kapitale nga niveli qendror./Nacionale