Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë të trafikut ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën “Anton Qeta” në Gjakovë ku një 30-vjeçar ka sulmuar zyrtarët policorë, të cilët e kishin ndalur për t’i shqiptuar një gjobë për kundërvajtje në trafik.
Sinjali mëson se i dyshuari nuk kishte pranuar që të bashkëpunojë me Policinë, me të cilët pati një sjellje agresive dhe eskaloi deri në atë pikë sa filloi t’i sulmojë tre zyrtarë policorë, të cilët pësuan lëndime trupore, për çka u desh të kërkonin ndihmë mjekësore.
I dyshuari përpos që i sulmoi, edhe i ka kërcënuar me fjalë zyrtarët policorë, duke iu thënë se “veç plumbi ka me na nda” dhe ka vazhduar edhe me fjalë të tjera. Posa panë rrezikun që po u kanosej nga i dyshuari, policët morën masa parandaluese duke e arrestuar dhe duke e shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Burimet thonë se lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit ndaj 30-vjeçarit është iniciuar rast për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.